Rastet e trafikut të femrave drejt vendeve të BE-së, vijojnë të jenë një problem shqetësues, e sidomos për shoqërinë shqiptare.
Vetëm në dy muajt e fundit, nga aeroporti i Rinasit janë zbuluar tre tentativa të kalimit të vajzave të reja drejt Italisë, që më pas do të shfrytëzoheshin për prostitucion nga tutorët e tyre.
I tillë ishte edhe parandalimi i një situate të tillë, kur një 30 vjeçare u detyrua të tregonte gjithçka, pasi u zbulua nga shërbimet e policisë. Kanë qenë punonjësit e policisë Kufitare që pasi kanë marrë në pyetje të renë, kanë zbuluar se vajza do të trafikohej në drejtim të Italisë.
Por, dëshmia kontradiktore që vajza dha para uniformave blu, bëri që policia të parandalonte edhe trafikimin e saj.
Fillimisht, në vijën e parë, e reja nga Fieri shpjegoi se do të shkonte për turizëm, e ndërsa në vijën e dytë të kalimit kufitar, 30 vjeçarja pohoi se do të shkonte për pushime tek disa të afërm të saj.
Dy dëshmi të ndryshme bënë që oficerët e policisë të ngrinin dyshimet e tyre për një rast trafiku, e që në përfundim vajza u detyrua të tregonte edhe dhunën që i ishte ushtruar për ta detyruar që të trafikohej për prostitucion.
Pas dëshimsë së vajzës, u arrestua vetëm shoqëruesi i saj në aeroportin e Rinasit, e ndërsa u shpallën në kërkim tre pritësit në Itali, emrat e të cilëve tashme janë edhe në dorë të autoriteteve italiane, për të kryer arrestimin e tyre.
Por si arritet të kryhet ky trafikimi? Burime pranë policisë sqaruan se kalimi i tyre kryhet me pasaportë të rregullt, e ndërsa si alibi kryesore kanë “pushimet te familjarët”.