Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur një mbledhje maratonë për hapjen e garës për 4 anëtarët jo gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Afati për të paraqitur kandidaturat për katër vende do të jetë dy javë.
Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, tha se hapja e garës për Gjykatën e Lartë i hap rrugën zhbllokimit të kësaj gjykate e cila ka një stok prej 33 mijë dosjesh.
Naureda Llagami: Kemi bërë të mundur ngritjen e infrastrukturës së duhur ligjore për të kryer procesin e verifikimit të pasurisë, figurës dhe profesionalizimit për kandidatët për Gjykatën e Lartë që vinë nga jashtë sistemit gjyqësor duke synuar kështu përzgjedhjen e njerëzve profesionistë, me integritet, gjyqtarë të denjë për sistemin tonë.
Këshilli është shpresëplotë se me hapjen e garës për Gjykatën e Lartë shënon një hap progresi për fillimin e evadimit të një stoku prej mbi 30 mijë dosjesh çështje gjyqësore të krijuar ndër vite.
Gjykata e Lartë duhet të ketë 19 anëtarë, katër nga të cilët jo gjyqtarë, por juristë me 15 vjet karrierë.