Rritja rekorde e rasteve me koronavirus gjatë ditëve të fundit, ka bërë që Qeveria e Kosovës të ashpërsojë masat anti-Covid. Këto masa do të hyjnë në fuqi nga sot dhe do të jenë të vlefshme deri më 4 shkurt.
Masat e reja përfshijnë kufizim të lëvizjes, nga ora 22:00 deri në orën 05:00, kufizim të orarit të punës për gastronominë, lejohet puna vetëm deri në orën 21:00, si dhe ashpërsim të rregullave për hyrje në vend.
“Vendimi për masat kundër COVID-19 është bazuar në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve”, njofton Qeveria.
Ditët e fundit janë rritur rastet me Covid-19, në nivel shqetësues në Kosovë. Vetëm dje janë regjistruar rreth 3 mijë raste.