Merr fund saga e bashkisë së Himarës pa kryetar. Kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo është shpallur fitues i zgjedhjeve të pjesshme të 4 gushtit 2024 me një diferencë prej 1477 votash kundrejt kandidatit rival të koalicionit “Bashkë Fitojmë’ në opozitë, Petro Gjikuria.
Procesi i numërimit të 36 kutive të votimit që nisi pak pas mesnatës dhe u mbyll në orën 06:30 të mëngjesit të sotëm (5 gusht) nxorri këtë rezultat: Vangjel Tavo 5022 vota, pra 58.62% e Petro Gjikuria 3545 vota, 41.38 %.
Menjëherë më pas në KZAZ nisi festa e socialistëve.
“Sot fitoi Himara, fituan himariotët – tha Tavo në fjalën e tij menjëherë pas fitores ‘- Dua të falenderoj pa përjashtim banorët e bashkisë Himarë, Vranishtë, Lukovë, për durimin që patën duke na dëgjuar gjatë fushatës dhe duke na besuar mandatin në vijim të mandatit 2023″
Himariotët i besuan të vijojnë mandatin e 2023 dhe Tavo premton se do të zgjidhë të gjitha problematikat që ka Himara, një nga zonat më të bukura të bregdetiti shqiptar.
Që sot vazhdojmë punën për ato që kemi premtuar. Të bashkuar të gjithë, të majtë e të djathtë përtej besimit të secilit, të gjithë për Himarën e bashkuar, për Himarën e qetë dhe pa probleme. Do vazhdojmë punën për turizmin, krahas problemeve të tjera që kanë shprehur banorët gjatë fushatës. Turizmi është prioriteti, festë nuk ka do të vazhdojmë punën për Himarën dhe himarjotët”
Fitoren e priste dhe përsërit ftesën për kandidatin rival.
E prisja rezultatin e kam thënë edhe e kam deklaruar, prisja 1200-1300. Zoti Gjikuria nëse nuk do të largohet në Amerikë është i mirëpritur të jetë nënkryetari i bashkisë. Siç e theksova bashkia ka nevojë për të gjithë, të majtë e të djathtë
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në zgjedhjet e djeshme në Himarë rezultoi 37.69 % ku nga 23.074 votues në listë morrën pjesë në votime 8678 persona. Një pjesëmarrje me gati 800 votues më shumë se në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 ku votuan 7655 zgjedhës.
Zgjedhjet për kryebashkiakë në Bashkinë e Himarës i japin fund sagës së një rrugëtimi 15 mujor të bashkisë pa kryetar legjitim në krye të saj. Saga nisi dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023 me arrestimin e Belerit. Më pas dënimi i tij me dy vite burg për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, dhe arrestimin e kryetarit në detyrë Jorgo Goro nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuar ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme.
Zgjedhjet e pjeshme në Himarë u mbajtën dhe në një klimë të ftohtë mes Tiranës dhe Athinës zyrtare që buroi pas arrestimit dhe dënimit të ish kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.