Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Varhelyi, do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në Samitin e Hapur Ballkanik që do të mbahet në Ohër më 8 qershor.
Komisioni Europian ka shpërndarë një njoftim ku bëhet me dije se përpara Samitit, Varhelyi është shprehur se feed backu nga investimi prej 30 miliardë eurosh do të mund të bëhet i plotë vetëm në momentin që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e nismës.
“Unë mirëpres shtysën e ripërtërirë nga liderët në Ballkanin Perëndimor për të avancuar në integrimin rajonal. Lufta që Rusia ka bërë në Evropë është një thirrje zgjimi për nevojën për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE, një investim gjeostrategjik në stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë Evropës.
Bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës, i bazuar në rregullat e BE-së, është kyç për ta afruar Ballkanin Perëndimor me tregun e vetëm të BE-së, i cili është në qendër të prosperitetit tonë të përbashkët.
Ndërtimi i shpejtë i Tregut të Përbashkët Rajonal të rënë dakord nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është thelbësor për këtë.
Por gjithashtu, le të jemi të qartë, potenciali i plotë i planit tonë ambicioz ekonomik dhe investues prej 30 miliardë eurosh për të mbështetur Ballkanin Perëndimor do të korret vetëm kur të gjashtë vendet ballkanike të jenë pjesë e nismës”, është shprehur ai.
KE bën me dije gjithashtu se gjatë vizitës Komisioneri Várhelyi do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderët e Ballkanit Perëndimor.