Varianti Omicron i OVID po shqetëson gjithnjë e më shumë ekspertët shëndetësore, e teksa ka ende shumë të fshehta mbi të, tashmë është identifikuar në shumë vende duke u përhapur me shpejtësi.
Përballë kësaj, kryeministri Edi Rama i ka bërë sot apel qytetarëve që të vaksinohen për të qenë më të mbrojtur. Me një postim në Facebook, Rama ka publikuar edhe dëshmi të personave që po vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës, teksa tregojnë se ndihen shumë mirë.
“Mirëmëngjes dhe duke ju kujtuar të vijoni vaksinimin me dozën e tretë përforcuese, për të qenë më të mbrojtur gjatë dimrit e për të mos i dhënë virusit një mundësi të dytë ndërkohë që varianti i ri Omicron po shqetëson botën, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Zyrtarisht nuk dihet ende nëse ka raste me variantin e ri të COVID në vend, teksa Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije dje se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.
Manastirliu theksoi se strukturat shëndetësore janë në gatishmëri të shtuar, teksa bëri thirrje për vaksinim.