Varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri. Në Athinë takohet komisioni i përbashkët Greko-Shqiptar
Delegacioni i Shqipërisë dhe ai grek u takuan në Athinë për të diskutuar çështjen e varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë. Por njoftimet janë shumë të pakta në lidhje me atë çfarë është thënë në takimin e komisionit të përbashkët. Çështja e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, është diskutuar ditët e fundit në Athinë. Por njoftimet janë shumë të pakta. Në kryeqytetin fqinj është mbajtur raundi i dytë i komisionit të përbashkët greko-shqiptar të ekspertëve. Megjithëse ky takim është zhvilluar nga 19 deri më 21 Tetor, vetëm të martën është publikuar njoftimi përkatës për shtyp nga shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Greqisë, ku thuhet se delegacioni shqiptar kishte 12 anëtarë. Në njoftimin lakonik kumtohet vetëm çështja e varrezave. “Në takim u diskutuan çështje teknike të marrëveshjes së bashkëpunimit Greqi-Shqipëri të vitit 2009, lidhur me kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekjë që ranë gjatë operacioneve luftarake gjatë luftës Italo-Greke”, thuhet në njoftimin e forcave të armatosura të Greqisë.