Kanë kaluar pothuajse 6 muaj që nga kjo deklaratë e zëvendësministrit të kulturës Zef Çuni dhe ende varri i Kolë Idromenos në varrezat katolike të Rrmajit jo vetëm se nuk ka përfunduar por po kthehet në një gërmadhë të turpshme.
Vitin e kaluar ministria e kulturës akordoi një fond për restaurimin e varrit të Idromenos dhe Marubit për t’ia ndryshuar pamjen. Që nga ajo kohë dhe deri më sot projekti nuk ka arritur që të përfundojë. Madje në shumë pjesë të varrit ka nisur që të dëmtohet duke treguar për cilësinë jot ë duhur të punimeve dhe abuzimin që është bërë me këtë vepër të artit të projektuar nga vetë Idromeno para vdekjes. Pjesa e poshtme është copëzuar ndërsa shumë detaje domëthënëse të varrit të Idromenos kanë humbur identitetin sepse nuk është zgjedhur mënyra e duhur e punimeve. Në fillim të nëntorit të vitit të 2015-ës ish-drejtori i monumenteve Ervin Gjini akuzoi për punime të dobëta dhe humbje identiteti. Pas tij zëvëndës ministri Çuni u përgjigj se ajo ishtë vetëm faza e parë dhe se do vijohej me fazën e dytë. Në fakt më tej punimet e bëra rezultuan thuajse fatale sepse tashmë varri i Idromenos pa frikë mund të thuhet se është shpërfytyruar. Jo vetëm se nuk janë respektuar afatet e punimeve sepse projekti i restaurimit duhej të ishte përmbyllur që në nëntor të 2015-ës. Vepra e fundit e Idromenos është pikërisht varri i familjes së tij ndër të cilat edhe skulptura e këtij ëngjëlli që gjithashtu mund të kthehet në një rrënojë.