Ambasadorja e RSH në Varshavë, znj Shpresa Kureta dhe Kardinali i Varshavës, Hirësia e tij Kazimierz Nycz, të dielën e 4 shtatorit në mbrëmje
, mblodhën së bashku një auditor të gjerë, në një ceremoni kremtimi prekëse dhe emocionuese, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, në një nga kishat më të njohura në Varshavë, në Kishën e Shpëtimtarit më të Shenjtë, në Sheshin Zbawiciela. Aktiviteti i kurorëzuar me sukses, ishte një aktivitet i përbashkët i Ambasadës së RSH-së në Varshavë me Dioqezën e Varshavës. Të pranishëm në të ishin përfaqësues nga institucionet më të larta në vend, Kancelaria e Presidentit, ministra të kabinetit qeverisës, deputetë të Sejmit, përfaqësues të ministrive, ambasadorë dhe diplomatë të akredituar në Poloni, përfaqësues të mediave, artit, biznesit dhe institucioneve të tjera, shqiptarë me banim në Poloni, miq të Shqipërisë si dhe një auditor i madh qytetarësh polakë. Ky aktivitet përfshiu një fjalë të Ambasadores, znj. Kureta, një Meshë të shenjtë të drejtuar nga Kardinali i Varshavës dhe një koncert të interpretuar nga një kuartet harqesh me instumentistë të talentuar shqiptarë dhe polakë: Klaidi Sahatçi dhe Andrzej Kilian – violinë, Ewa Grzywna Groblewska – violë dhe Vlorent Xhafaj – violonçel, të cilët interepretuan me mjeshtëri të lartë autorë të njohur si Alexander Borodin dhe Johann Sebastian Bach dhe pjesë nga kompozitori polak Stanisław Moniuszko. Midis pjesëve të njohura të interpretuara, kuarteti kishte zgjedhur të sillte për herë të parë në publik, veprën e kompozitorit shqiptar, Gerti Druga, “Albanian little song”. Interpretimi i tyre u mirëprit dhe duartrokit nxehtësisht nga pjesëmarrësit.