Një ditë pas denoncimit të bërë nga partia Demokratike, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar, Petrit Vasili,
kërkoi shkarkimin e kryeprokurores Arta Marku me pretendimin se ka shkelur ligjin duke propozuar prokurorin Bujar Shehi për Këshillin e lartë të Prokurorisë.
Sipas Vasilit, kryeprokurorja nuk ka pritur përgjgjen e Autoritetit të hapjes së dosjeve për këtë prokuror, duke e lënë Këshillin e Lartë të Prokurorisë në duart e njerëzve pa integritet.
Vasili: Sot Arta Marku ka konsumuar haptas dhe qartë një shpërdorim detyre nga më të rëndët që ka prodhuar pasoja katastrofike për shkak sepse ndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë është bërë nga njerëz, integriteti i të cilëve nuk është verifikuar.
Shkarkimi i menjëherë i Arta Markut do të jetë përgjigja e vetmja jo thjesht për respektimin e ligjit por edhe për qytetarët që nuk besojnë më kurrë tek kjo reformë në drejtësi që rezulton më difektoze se ajo që lamë pas.
Vasili kërkoi gjithashtu edhe ndjekjen penale të Arta Markut duke u shprehur se sa më shumë të qëndrojë prokurorja e përgjithshme në detyrë, aq më shumë kjo do të konsiderohet atentat ndaj drejtësisë.