Presidenti Donald Trump bisedoi privatisht me Papa Françeskun, përpara se të shkëmbenin dhurata në sytë e medias.
Takimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë me kreun e 1.2 miliardë katolikëve të botës është pritur me mjaft interes, nisur nga fakti që dy udhëheqësit janë përplasur me njëri-tjetrin në distancë, mbi çështje të forta si emigracioni dhe ndryshimet klimatike. Pas vizitës në Meksikë, Papa pati thënë se “një person që kërkon të ndërtojë mure, në vend të urave, nuk është i krishterë”.
Përgjigjja që erdhi ishte: “Nëse Vatikani sulmohet nga Shteti Islamik, Papa Françesku do të ishte i pari që do të lutej, që Donald Trump të ishte president i Shteteve të Bashkuara”. Por gjatë diskutimit gjysmëorësh mes tyre, Trump mësohet të jetë zotuar që të mos e harrojë mesazhin e Atit të Shenjtë. Duke buzëqeshur, Papa i dhuroi skulpturën e vogël të një peme ulliri, që simbolizon paqen. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e falënderoi dhe i tha se “paqja mund të na duhet vërtet”. Duke folur në spanjisht përmes një përkthyesi, Papa Françesku i dha gjithashtu edhe kopjen e firmosur të mesazhit të përcjellë prej tij në Ditën Botërore të Paqes dhe 3 shkrime të rëndësishme të vetat, përfshirë atë të vitit 2015 mbi nevojën për mbrojtjen e ambientit.
“Epo, do t’i lexoj të gjitha”, u shpreh Trump, që nga ana e vet i dhuroi kreut të Selisë së Shenjtë një kuti me shkrime të Martin Luther King. Në Vatikan, ai kishte sjellë me vete dy femra: vajzën Ivanka dhe bashkëshorten Melania. Axhenda e presidentit amerikan vazhdon me takimin e homologut italian dhe të kryeministrit Paolo Gentiloni. Dita e Trump vazhdon me spostimin në Bruksel për samitin e NATO-s, ndërsa turin e parë jashtë kufijve që prej marrjes së postit, republikani e përmbyll me samitin e G7-s në Siçili.