Vatikan,ekspozohet ampula e gjakut të Nënë Terezës, nderohet si relike. Këto ditë, në të cilat Kisha Katolike njohu zyrtarisht shenjtërinë e Nënë Terezës, pika gjaku të saj nderohen si relike.
Dje, gjatë meshës së shenjtërimit të Nënë Terezës, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, u çua në elter një copë stof me gjakun e misionares shqiptare të dashurisë, ndërsa sot pasdite, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, u ekspozua ampula me gjakun e Nënë Terezës.Është ajo, që u çua në elter edhe gjatë meshës së lumnimit, në vitin 2003. E sot, në ditën e parë të festës së saj liturgjike si shenjtore, besimtarët mundën ta nderojnë në këtë bazilikë të rëndësishme papnore.Jo të gjithë e dinë se relikuari i djeshëm është i veçantë. Stofi me gjakun e Nënë Terezës ishte brenda një relikuari në formë kryqi, sepse pikërisht nga Kryqi, Nënë Tereza ndjeu zërin e Krishtit, që i thoshte “Kam etje”. Çdo i sëmurë, çdo i braktisur, çdo i gërbulur, ishte një nga gjymtyrët e korpit të Krishtit, që vuante, duke e bërë të vuajë të gjithë trupin. Veprat e mëshirës së Nënë Terezës frymëzohen nga dashuria për Krishtin, prandaj pjesa e mbrapme e kryqit është realizuar nga një lloj i vetëm druri, nga kedri i Libanit, simbol fisnikërie, madhështie e bukurie. Ezekieli profet e përdor për të folur për Mesinë, por edhe për të përshkruar misionin e atyre, që do të bëheshin dishepuj të tij. Ndërsa, pjesa e përparme e kryqit është realizuar me lloje të ndryshme drurësh, ardhur nga njerëz e vende, ku vuajtja vazhdon të të kujtojë ofshamën e Krishtit në kryq: “Kam etje”. Këto pjesë vijnë nga shtëpia mëmë në Kalkutë, nga një rulot në kampet e romëve, nga një barkë refugjatësh në brigjet e Lampeduzës, nga shtëpitë e motrave të Nënë Terezës për të gërbulurit, për skllavet e prostitucionit, për të sëmurët, për të vegjlit e pambrojtur, për shurdhmemecët, për të burgosurit e për të moshuarit e vetmuar e të braktisur. Po në pjesën e përparme ka edhe një copë druri marrë nga një bankë ku gjunjëzohemi para se të rrëfehemi, emblemë e faljes sakramentore, sepse mëkatarë janë ata, që nuk e kanë provuar dashurinë e Zotit e, siç thoshte Nënë Tereza, këta janë më të varfërit e të varfërve. Korniza e kryqit është prej ari për t’i lartuar lavde Krishtit, për të cilin, misionarja e dashurisë u thoshte motrave se “e kemi privilegj ta adhurojmë përditë, është një nga dhuratat e Tij më të mëdha. Nëse keni zemër të pastër do të jeni gjithnjë në gjendje ta shihni lidhjen e mrekullueshme ndërmjet Bukës së Jetës dhe korpit të thyer të Krishtit në të varfërit”. Nga shprehja “Kam etje”, e cila qëndron pranë çdo të Kryqëzuari, në të gjitha shtëpitë e Nënë Terezës nëpër botë, frymëzohet theka apo vitrina e relikuarit, që është në formën e pikës së ujit. Dora plot rudha, e shenjuar nga puna për ta çuar mëshirën e Zotit kudo, e ofron këtë pikë uji plot dashuri, për t’iu përgjigjur britmës së dhimbjes së Krishtit në çastet e fundit të jetës mbi Golgotë. E pikërisht për të kujtuar dashurinë e pafund, që Nënë Tereza kishte për Krishtin dhe për të varfërit, kryqi rrethohet nga një zemër e përbërë nga dy pjesë. Pjesa e majtë të kujton tri shiritat blu të sarit të shenjtes e është mjaft e lakuar, simbol i përkuljes së Nënë Terezës para Krishtit e para të varfërve. Pjesa e djathtë, me një lakim më të lehtë, është e bardhë, ngjyra tjetër e sarit. Mbi të, shkrimi “I thirst” (Kam etje) me kaligrafinë origjinale të Nënë Terezës. Bluja dhe e bardha përfaqësojnë edhe ngjyrat e Virgjërës Mari, për të cilën kishte shumë devocion misionarja shqiptare, aq sa e zgjodhi Pajtore të misionit. Zoja, thoshte Nënë Tereza, ka qenë misionarja e parë e dashurisë së krishterë. Kryqi fiksohet mbi një bazë metalike bërë nga një lloj hekuri i prishur, i punuar pak, i papastër, për të përfaqësuar kështu, shoqërinë ku Nënë Tereza e shkriu jetën për të varfërit, për të kujtuar vendet ku shkeli, duke u nisur nga periferitë e Kalkutës, për t’u shërbyer atyre, që bota i hedh në plehra si të panevojshëm e të padobishëm.