Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Mashtrimi”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër.

Procedohet penalisht administratorja sociale e bashkisë Vau i Dejës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Procedohen penalisht 51 shtetas që kanë përfituar ndihmën ekonomike nga kjo bashki, me anë të mashtrimit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mashtrimi”.

Si rezultat i këtij operacioni u proceduan 51 shtetas, të gjithë banues në Vig-Mnelë, Vau i Dejës, për veprën penale “Mashtrimi”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas kanë përfituar me anë të mashtrimit, që nga viti 2017, ndihmën ekonomike që ofron bashkia Vau i Dejës.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasja R. S., 41 vjeçe, me detyrë administratore sociale në bashkinë Vau i Dejës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, sepse në kundërshtim me ligjin, ka bërë pjesë të skemës së ndihmës ekonomike, shtetasit e lartpërmendur, të cilët kanë qenë jashtë vendit ose nuk plotësonin kriteret për të përfituar ndihmën ekonomike.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakSCHOLZ I ‘PRET HOVIN’ UKRAINËS: NUK DO TË KETË PROCEDURË TË SHPEJTË PËR ANËTARËSIMIN NË BE
Artikulli tjetërRAMA ME FURNIZUESIT E NAFTËS: ËSHTË LUFTË! JEMI NË ZEMËR TË KRIZËS. ENERGJIA DHE NAFTA, KËRKESA SHUMË MË E LARTË SE SA OFERTA