Ka ende shpresë për të gjetur të gjallë 5 personat të cilët ishin në bordin e nëndetëses Titan, e cila u zhduk të dielën, pasi u zhyt për një ekspeditë turistike për të parë rrënojat e Titanikut. Kështu shkruajnë mediat amerikane, duke cituar si burim një email dërguar Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Uashingtonit. Sipas dokumentit, janë dëgjuar zhurma për orë të tëra, në intervale prej 30 minutash dhe 4 orë më vonë u dëgjuan sërish zhurma po në të njëjtën zonë.

“Janë dëgjuar reagime, të cilat do të ndihmojnë në shenjëstrimin e aseteve sipërfaqësore dhe do të tregojnë se mund të ketë të mbijetuar”, thuhet në përditësimin.

Furnizimi me oksigjen duhet të zgjasë deri nesër në mesditë. Të paktën dy nga njerëzit në bord – eksploruesit Hamish Harding, me diplomë piloti dhe Paul-Henri Nargeolet, një ish-zhytës i marinës franceze, kanë përvojë të gjatë në misione në vende ekstreme dhe mund të kenë udhëzuar shokët e tyre që të bëjnë me radhë këto tinguj në përpjekje për t’u lokalizuar.

Ndërkohë, rezulton se kompania OceanGate ka shkarkuar një drejtues për sigurinë. Ky është ish-drejtori i operacioneve detare të kompanisë amerikane. Sipas dokumenteve nga një padi e paraqitur në vitin 2018, David Lochridge, një pilot dhe zhytës skocez i nëndetëses, kishte shkelur një marrëveshje sekrete, duke zbuluar informacione të klasifikuara.

Pesë persona ndodhen në anijen Titan, e cila u zhduk të dielën, 700 kilometra larg brigjeve të Newfoundland, gjatë një eksplorimi për të parë rrënojat e Titanikut.

Në bordin e nëndetëses ishin, biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij, Suleman si dhe Hamish Harding, një biznesmen dhe eksplorues britanik 58-vjeçar. Dawood i përket një prej familjeve më të pasura të Pakistanit. Ai është administrues në Institutin SETI. Eksploruesi francez Paul-Henry Nargeolet 73 vjeç gjithashtu mendohet të jetë në bord, si dhe Stockton Rush, shefi ekzekutiv i OceanGate, kompania që financoi zhytjen.

 

Artikulli paraprakPËRSHPEJTOHET TRENDI I EKSPORTEVE BUJQËSORE, MINISTRJA E BUJQËSISË: NË MAJ U RRITËN ME 24.6 %
Artikulli tjetërYURI KIM NË KONFERENCËN E LAMTUMIRËS: JAM MIRËNJOHËSE QË PËRMBUSHA MISIONIN TIM NË DEMOKRACI, MBROJTJE DHE BIZNES