Lëkundjet e tërmetit në Shqipëri kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme.
Sipas të dhënave nga Qendra Sizmologjike Mesdhetare Europiane, tërmeti ka qenë në detin Adriatik, 2 km në Juglindje të Durrësit me një magnitudë relativisht të lartë prej 4.9 të shkallës Rihter. Tërmeti është ndjerë pak minuta pas mesnatës.
Banorët e Durrësit janë ata që e kanë ndjerë më shumë lëkundjen dhe kanë dalë jashtë banesave në panik. Sipas IGJEUM tërmeti ka qenë me magnitudë 5 të shkallës Rihter dhe epiqendra sërish Kepi i Rodonit.
Mbi 100 pasgoditje janë ndjerë në vend pas tërmetit të orës 16:04 me epiqendër në detin Adriatik, pranë Durrësit. Sizmologët pohuan se pasgoditjet kanë ardhur duke u shuar. Lëkundjet e tërmetit kanë vijuar edhe në orën 7:19, 8:25, 9:05 dhe 9:09 ndërsa lëkundja më e forta ka qenë dje rreth orës 16:05 me magnitudë 5.8 ballë.
Sizmiologu Rrapo Ormeni ka folur lidhur me situatën e rëndë nga tërmetet e njëpasnjëshme në vend. Sizmiologu tha se rreziku i tërmeteve ka kaluar, pas lëkundjes së fuqishme 5.8 ballë pasditen e djeshme, ndërsa theksoi se lëkundjet do të vijojnë ndërkohë në total që nga pasditja e djeshme janë regjistruar 297 goditje por me magnitude më të vogla.
Tërmetet mund të vijojnë edhe për disa ditë të tjera por ajo që pritet është që madhësia të vijë duke u zvogëluar duke mos sjellë ndonjë rrezik si një ditë më parë. Megjithatë shumë qytetarë vijojnë të jenë në panik.
Rreth 110 persona kanë marrë shërbime në spital dhe afro 10 prej tyre vijojnë të jenë të shtruar nën kujdesin e mjekëve. Në Tiranë janë ngritur edhe 6 qendra ku mund të shkojnë të gjithë ata që nuk ndjehen të sigurtë.