Policia e Hong Kong-ut përdori të dielën gaz lotësjellës dhe nxori për herë të parë pompat e ujit në përpjekje për të shpërndarë protestuesit anti-qeveritarë.
Mijëra protestues kishin dalë në rrugë.
Të shtunën, protestat u bënë të dhunshme për herë të parë në gati dy javë, pasi qindra demonstrues të veshur me të zeza dhe të armatosur me shkop bejsbolli dhe shufra bambuje hodhën bomba me benzinë dhe tulla mbi policinë.
Policia e Hong Kongut vringëlloi shkopinjtë e gomës dhe hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët kishin krijuar barrikada rrugore të improvizuara duke përdorur skela bambuje jashtë një stacioni policie dhe një qendre tregtare aty pranë.
Ndërkohë, Kina liroi një punonjës të konsullatës britanike, Simon Cheng, ndalimi i të cilit nxiti tensione. Ai u arrestua për 15 ditë në Shenzhen, pak larg kufirit nga Hong Kong, për gjoja shkelje të rregullave të menaxhimit të sigurisë publike.
Autoritetet thanë se respektuan të drejtat ligjore të Simon Chengut, dhe thanë se ai kishte pranuar akuzat për të cilat ishte arrestuar. Kjo është një përgjigje standarte nga policia kineze, përkundër faktit që zotit Cheng nuk iu dha mundësia të mbrohej në gjykatë. Familja e Chengut tha në Facebook se ai ishte kthyer në Hong Kong.
Protestuesit kishin kërkuar lirimin e tij për disa ditë, dhe Britania tha se e mirëpriti lajmin.
Ndërsa tubimet hynë në muajin e tyre të tretë, protestuesit gjithashtu prenë një “pajisje inteligjent” të shqetësuar se po përdorej për mbikëqyrje nga autoritetet kineze.
Qeveria e Hong Kong-ut thotë se pajisja përdoret kryesisht për të mbledhur të dhëna për trafikun, motin dhe cilësinë e ajrit.
Demonstratat disa javore në Hong Kong filluan me thirrjet për të ndaluar një projekt-ligj ekstradimi, i cili tani është hequr. Por protestat janë zgjeruar duke përfshirë kërkesa për demokraci të plotë.