Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, Haki Çako, është shkarkuar nga detyra drejtori i Laboratorit të Policisë Shkencore, Dritan Zoto, shkarkim i cili vjen vetëm pak ditë pasi kreu i Policisë së Shtetit zyrtarizoi ndryshimin e thuajse të gjithë drejtuesve të strukturave të policisë në vend.
Në vazhdim të këtyre ndryshimeve mësohet se është firmosur edhe shkarkimi i drejtorit të Institutit të Policisë Shkencore, Dritan Zoto. Mësohet se pas largimit nga drejtimi i Laboratorit të Policisë Shkencore, Dritan Zoto ka këmbyer funksionin e punës me ekspertin Xhevahir Çeloaliaj, që është emëruar drejtues i ri i Institutit të Policisë Shkencore. Në lidhje me ndryshimin e drejtuesit të Policisë Shkencore, nuk ka pasur njoftim nga ana e Policisë së Shtetit.
Burime jozyrtare kanë thënë se ky ndryshim lidhet me “rokadën” që ka nisur javët e fundit në Policinë e Shtetit me ndryshimin e gjithë kupolës drejtuese. Ndërkohë, ndryshimi në fjalë vjen në kohën kur Policia Shkencore me kërkesë të prokurorisë ka marrë gjurmët e gishtave të disa politikanëve e deputetëve që po verifikohen në lidhje me ligjin e dekriminalizimit.
Po kështu, shkarkimi në fjalë vjen vetëm pak ditë pasi Prokurori i Përgjithshëm akuzoi publikisht Policinë për mungesë transparence në lidhje me asgjësimin e sasive të drogës që kapen rast pas rasti. Sipas kryeprokurorit, asgjësimi i drogës është bërë pa praninë e prokurorëve në shkelje të kritereve ligjore. Ministri i Brendshëm në një letër publike i kërkoi prokurorisë evidentimin e rasteve konkrete.