Vjedhjet e banesave në godinat e dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor, vazhdojnë të jenë prezente në Durrës.
Rasti më i fundit është shënuar në lagjen 18 të këtij qytetit, në pallatin fqinj me godinën e banimit ku si rezultat i shembjes gjatë tërmetit të 26 nëntorit humbën jetën 7 persona, anëtarë të familjeve Reçi dhe Karanxha.
Hajdutët kanë hyrë në një nga apartamentet duke thyer derën e blinduar dhe marrë prej saj shumë nga orenditë.
Më herët, edhe banorët e kompleksit Jedas, denoncuan se apartamentet e tyre ishin vjedhur nga hajdutë, duke shfrytëzuar situatën që rreth 280 familje ishin larguar nga banesat e tyre duke lënë në to sende dhe orendi shtëpiake me vlerë.