E marta pritej të ishte një ditë triumfi për republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, që morën kontrollin e saj, por ajo u shndërrua në kaos, pasi lufta brenda partisë e bëri të pamundur zgjedhjen e kryetarit të Dhomës. Ligjvënësi Kevin McCarthy nuk mundi të kapërcejë kundërshtimin e krahut më konservator të partisë së tij dhe të sigurojë votat e mjaftueshme në tre raunde votimesh që zgjatën disa orë, në ditën e parë të seancës së Kongresit të ri. Kundërshtimi i 20 ligjvënësve republikanë ndaj kandidaturës së zotit McCarthy, ka bllokuar fillimin e punës së Dhomës së Përfaqësueve. Betimi i ligjvensëve të rinj nuk mund të bëhet pa u zgjedhur më parë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve. Republikanët do të përpiqen edhe një herë të mërkurën të zgjedhin kryetarin, megjithëse është e pasigurt se si zoti McCarthy mund të sigurojë shumicën e nevojshme. Ai bëhet kështu kandidati i parë për këtë post në 100 vjet, që nuk arrin të zgjjdhet në raundin e parë.
PSE NUK U ARRIT TË ZGJIDHEJ KRYETARI
Zoti McCarthy mori vetëm 203 nga 218 votat e nevojshme të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve – madje më pak se demokrati Hakeem Jeffries në dhomën e kontrolluar nga republikanët. Në raundin e tretë ai mori edhe më pak, 202. Një numër kritikësh të zotit McCarthy, republikan nga Kalifornia, kishin paralajmëruar për muaj me radhë se ai nuk i kishte votat për të fituar postin. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, sipas kushtetutës, është i dyti në radhë për të zëvendësuar presidentin. Zoti McCarthy negocioi intensivisht me kundërshtarët kryesorë si ligjvënësit Andy Biggs, Scott Perry dhe Matt Gaetz, për të siguruar mbështetjen e tyre. Negociatat vazhduan deri të hënën në mbrëmje kur anëtarët ultra-konservator, të njohur si “ Grupi i Lirisë”, i paraqitën zotit McCarthy kërkesat e tyre përfundimtare, përfshirë ato për poste të caktuara në komisione, në këmbim të votave të tyre. Zoti McCarthy refuzoi t’i pranonte ato, duke thënë se kishte bërë maksimumin e mundshëm për të plotësuar kërkesat e tyre.
“Për dy muajt e fundit, ne republikanët kemi punuar së bashku për të përcaktuar rregulla që fuqizojnë të gjithë anëtarët, por ne nuk do t’i bëjmë disa anëtarë të caktuar më të fuqishëm se të tjerët,” u tha zoti McCarthy gazetarëve të martën. Si rezultat, këta ligjvenës dhe më shumë se dhjetë të tjerë, votuan hapur kundër tij.
ÇFARË DO TË THOTË KJO PËR DHOMËN E PËRFAQËSUESVE?
Pa një kryetar, Dhoma nuk mund të funksionojë pasi drejtuesit i saj, shërben si kryesues i seancave dhe drejtues administrativ i institucionit. Mbajtja e ceremonive të betimit të anëtarëve, emërimi i kryetarëve të komisioneve, ecuria e seancave do të shtyhen derisa të zgjidhet një kryetar.
“Vëmendja duhet të përqendrohet tek këta 20 ligjvënës që po pengojnë punën e Kongresit për të cilën ne u zgjodhëm. Ata mbajnë përgjegjësi,” tha ligjvënësi republikan nga Nebraska, Don Bacon.
SI MUND TË ZGJIDHET NGËRÇI?
Mbetet e paqartë nëse dhe kur do ta kalojë zoti McCarthy pragun e nevojshëm për t’u bërë kryetari i Dhomës. Numri aktual i republikanëve që kanë premtuar mbështetje për kandidatët e tjerë është 20 dhe ka disa që mendojnë se lista e kundërshtarëve mund të rritet. Dhoma e Përfaqësuesve pritet të fillojë një raund tjetër votimi mesditën e së mërkurës. Pasi të plotësohet kuorumi, numri minimal i anëtarëve të pranishëm të nevojshëm për të mbajtur seancën, emrat e kandidatëve nga secila parti do të lexohen nga udhëheqësit përkatës të grupeve, përpara një votimi me zë për të zgjedhur një kryetar të ri. Të martën, republikanët që kundërshtonin kandidaturën e zotit McCarthy paraqitën emrat e një morie kandidatësh të tjerë, përfshirë ligjvënësit Biggs, Jim Jordan të Ohajos dhe madje edhe një ish-ligjvënës, Lee Zeldin të Nju Jorkut.
“Unë paraqes si kandidat anëtarin më të talentuar, më të angazhuar të grupit republikan, i cili mbajti fjalimin më me vizion që kemi dëgjuar ndonjëherë nga krahu alternativ,” tha zoti Gaetz të martën ndërsa emëroi ligjvënësin Jordan. Sigurisht, asnjëri prej tyre nuk arriti shumicën e votave, por ishte e mjaftueshme për t’i mohuar zotit McCarthy mbështetjen e nevojshme. Në një dhomë të ndarë 222-213 mes republikanëve dhe demokratëve, zoti McCarthy nuk mund të humbasë më shumë se një numër të vogël votash. Kandidati për kryetar ka nevojë për shumicën e votave nga anëtarët e Dhomës që janë të pranishëm dhe votojnë. Nëse zoti McCarthy nuk i siguron përsëri votat e nevojshme të mërkurën, votimi do të përsëritet derisa të arrihet shumica e nevojshme, ose të miratohet shtyrja e seancës.
A KA NDODHUR NJË GJË E TILLË MË PARË?
Hera e fundit që Dhoma nuk zgjodhi një kryetar në votimin e parë ishte viti 1923, kur u mbajtën nënë raunde votimi. Edhe në atë kohë, republikanët kryesonin me një diferencë të vogël ndaj demokratëve me vetëm 18 vende. Diferenca e tanishme mes tyre është vetëm 9. Në atë kohë, partia e shumicës kishte emëruar republikanin Frederick Gillett nga Masaçusets për t’u rizgjedhur si kryetar, por disa kandidatë të tjerë, përfshirë një demokrat, morën disa prej votave. Kjo rezultoi në një sërë votimesh gjatë tre ditëve, përpara se kreu i shumicës republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, Nicholas Longworth, të mbante një takim urgjent me ata që kundërshtonin. Shqetësimi i tyre, i ngjashëm me ato që janë shprehur ndaj zotit McCarthy, kishte të bënte me një sërë ndryshimesh rregullash që ata besonin se meritonin të dëgjoheshin. Zoti Longworth ra dakord me kërkesat e tyre dhe të nesërmen zoti Gillett siguroi 215 votat që i nevojiteshin për t’u rizgjedhur.