Niveli i borxhit publik ka pësuar një ulje të fortë gjatë viti të kaluar .Analiza e Bankës së Shqipërisë tregon se në fund të vitit 2022 borxhi publik pësoi një ulje me gati 10% nëse e krahasojmë me një vit më parë. Kjo tregon se financat shqiptare kanë nisur stabilizimin pas tejkalimit të periudhës së pandemisë gjatë së cilës borxhi pësoi një rritje të fortë. Aktualisht rezulton se viti i kaluar është mbyllur me një borxh që ka prekur nivelin 63.3% nga 73.2% që ishte në 2021. Efekte pozitive në uljen e borxhit publik kanë dhënë disa faktorë si forcimi i lekut, konsolidimi fiskal si dhe rritja e të ardhurave në buxhet. Të ardhurat fiskale arritën në 573 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar.
Në terma vjetorë, të ardhurat u zgjeruan me rreth 12.1%, ku kontributin kryesor e patën të ardhurat nga TVSH-ja, me rreth 5.9 %. Ecuria e të ardhurave nga TVSH-ja reflekton, përtej rritjes së vëllimit të aktivitetit ekonomik, edhe efektin e rritjes së shpejtë të çmimeve të brendshme e të huaja. Po ashtu edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rënien e vlerës së borxhit publik në valutë, të shprehur në monedhën vendase. Sipas Bankës qendrore me ulje u vlerësua si borxhi I brendshëm me rreth 4% si dhe ai i huaj me 6.4 % nëse I krahasojmë me fundin e vitit 2021. Trendi rënës i nivelit të borxhit publik pritet të përshpejtohet në vitet e ardhshme. Vlerësimet janë optimiste edhe në lidhje me nivelin e rritjes ekonomike.Ecuria ekonomike parashikohet në normën 2.6 përqind për vitin 2023 ndërsa vitin e kaluar sipas vlerësimeve të INSTAT preku nivelin 4.84%.
Borxhi publik
Viti 2022 63.3%
Viti 2021 73.2%