Një ditë pas vdekjes së adoleshentit në Dibër, i cili ra në kontakt me energjinë elektrike, policia ka arrestuar personin që po gjuante peshk me të në lumin Drini i Zi.

Në pranga ka rënë Leonard Begu, 35 vjeç, banues në Peshkopi. “Ky shtetas dyshohet se ka qenë sëbashku me shtetasin L.Ç, duke peshkuar në mënyrë të paligjshme, dhe pasi ka ndodhur ngjarja ka fshehur disa sende të cilat janë gjetur nga policia në automjetin e tij, automjeti i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale” thotë policia.

Begu akuzohet për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Peshkim i paligjshëm”. Ngjarja u shënua të pasditen e së martës. Rreth orës 15.40, blutë u njoftuan nga urgjenca e spitalit të Peshkopisë se është sjellë nga familjarët pa shenja jete një shtetas i cili dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë së Dibrës, ku kanë konstatuar se shtetasi L.Ç, 16 vjeç, banues në fshatin Vakuf, Dibër, duke gjuajtur peshk me gjenerator elektrik, në lumin Drin në afërsi të fshatit Fushë-Alije, është vetëaksidentuar duke rënë në kontakt me rrymën elektrike ku për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, janë kryer veprimet proceduriale dhe janë referuar materialet në Prokurorinë Dibër si “Ngjarje Aksidentale”.

Artikulli paraprakHARADINAJ, VIZITË ZYRTARE NË SHQIPËRI
Artikulli tjetërMË 27- 28 NËNTOR MBLEDHJA E PËRBASHKËT E QEVERISË SHQIPËRI-KOSOVË