Ish-kryeministri Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e parakohshme të Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, i cili u nda nga jeta ditën e sotme për shkak të një ataku kardiak.
Berisha thotë se kjo është një ditë zie për sportin shqiptar dhe se Vokrri edhe në kohën e pushtimit barbar serb mbushi me krenari zemrat e shqiptarëve. Për të ikja e Vokrrit është humbje e madhe.
STATUSI I BERISHËS
Dite zie për sportin shqiptar!
Fadil Vokrri, futbollisti legjendar, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës mbylli sytë përgjithmonë!
Me këtë rast le të shprehim të dashur miq dhimbjen dhe mirënjohjen tonë të thellë ndaj legjendës së futbollit kombëtar, i cili, dhe në kushtet e pushtimit barbar serb të Kosovës,
me talentin e tij të rrallë dhe kulmet që arriti u bë një emër i madh në futbollin e kohës dhe mbushi me krenari zemrat e mbarë shqiptarëve.
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij dhe autoriteteve të Kosovës për këtë humbje të madhe për sportin dhe mbarë kombin shqiptar, i lutem Zotit që shpirti i Fadil Vokrrit, futbollistit të pavdekshëm shqiptar të prehet në paqe! Sb