POLICIA KA SHOQËRUAR EDHE PËRGJEGJËSIN TEKNIK TË KOMPANISË. Shkaku i vdekjes së minatorit Gjovalin Prenga në Minierën e bakrit në Munellë
, ka ardhur nga shembja e tavanit dhe faqja anësore e një masivi minerali kur po bëhej shpimi i birave brenda në mënierë. Ky është konstatimi i bërë nga RISHM (Reparti i Inspektim, Shpëtim Minierave) në raportin e saj, ku theksohet se janë shkelur rregullat e teknikës së sigurimit nga përgjegjësi i minierës, drejtuesi teknik dhe përgjegjësi i turnit. Pas këtij konstatimi RISHM ka ndaluar punën në të gjithë minierën, ku është kërkuar bërja e analizës së aksidentit në subjekt, nxjerrja e shkaqeve, personave përgjegjës dhe masat për përmirësimin organizativ e teknik. Po ashtu është ndaluar nga Policia e Pukës, Tonin Cuku 59 vjec, Inxhinieri Teknik në Minierën e Munellës. Sipas RISHM, pas këtij raporti do të kërkohet pranë organeve të Prokurorisë së rrethit gjyqësor Pukë fillimin e procedimit penal për shkelje të rregullave të sigurimit teknik me pasojë vdekjen e Gjovalin Prenga, ndaj përgjegjësit të minierës, drejtuesve teknik dhe përgjegjësit të turnit. Po ashtu ky institucion do të marrë masa administrative me gjobë për personat e tjerë përgjegjës, duke filluar që nga administratori i kompanisë “BERALB” sh.a. Puna në këtë objekt do të rifillojë vetëm pas realizimit të të gjitha detyrave që do të vendosen nga analiza e përbashkët e RISHM-it dhe drejtuesve të kompanisë për ngjarjen. Masivi i dheut u shemb në 14 shkurt rezultoi rezultuar fatal për minatorin 49 vjeçar dhe nën rrezik ishin edhe 170 minatorët e tjerë të kësaj miniere.