Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar në lidhje me vdekjen e shqiptarit Mentor Rexha në burgun e qytetit Lorient në Francë.

Në njoftimin për mediat, ministria thotë se sipas autoriteteve të policisë franceze shtetasi Mentor Rexha është vetëvrarë gjatë natës së 31 janarit 2020, por pas pretendimeve të familjarëve se e kanë vrarë kanë kërkuar informacion shtesë.

“Ditën e shtunë, datë 8 shkurt 2020, të afërmit mundën të vizitojnë trupin e të ndjerit. Gjatë kontaktit me Ambasadën shqiptare, ata shprehën dyshime lidhur me shkaqet e vdekjes së tij.

Bazuar në këto pretendime, Ambasada shqiptare në Francë ka kërkuar informacion suplementar nga autoritetet franceze mbi ngjarjen dhe ka sugjeruar që paralelisht familja e të ndjerit të kontaktojë një avokat për ndjekjen e çështjes nga ana ligjore. Ambasada është në pritje të një informacioni zyrtar më të detajuar nga ana e autoriteteve policore dhe gjyqësore franceze, në lidhje me të gjitha pretendimet dhe dyshimet e ngritura nga të afërmit e shtetasit Mentor Rexha”, thuhet në njoftim.

Ministria thotë se për këtë ngjarje, Ambasada shqiptare në Francë është njoftuar nga të afërmit e të ndjerit ditën e diel, datë 2 shkurt 2020.

“Që nga ajo ditë e në vazhdim, shërbimi konsullor i Ambasadës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e tij, për të mundësuar vendosjen e kontakteve me qendrën penitenciare të Lorient, si dhe për të lehtësuar udhëtimin e njërit prej familjarëve të tij nga Italia në Francë.

Ambasada shqiptare në Francë njofton se, që nga momenti i njohjes me ngjarjen, ka përcjellë nga afër çdo praktikë ligjore dhe ka qëndruar në kontakte të pandërprera me familjarët e shtetasit shqiptar, Mentor Rexha”. sqaron ministria.

Në lidhje me procedurat e kthimit të trupit të shtetasit Mentor Rexha në Shqipëri, Ambasada i ka informuar familjarët sipas legjislacionit në fuqi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe Ambasada shqiptare në Francë mbeten të angazhuara për zbardhjen e ngjarjes me autoritetet franceze dhe kthimin e shpejtë të trupit të të ndjerit në atdhe.

Artikulli paraprakSTUHIA “CIARA”,VOGËLUSHI HIDHET DISA METRA MË TUTJE SI PASOJË E ERËRAVE
Artikulli tjetërARRESTOHET SHQIPTARI AKUZOHET PËR GRABITJE E PËRDHUNIM