Andon Mëhillaj dyshohet se u vetëhelmua në burgun e Peqinit. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se nga hetimet paraprake, ka rezultuar se është vetëhelmuar me ilaçe.
45-vjeçari humbi jetën ditën e diel rrugës për në spital. Megjithatë ende nuk kanë dalë rezultatet përfundimtare të autopsisë mjekoligjore për Mëhillajn. Avokati i Andon Mëhillajt, Edmond Dema u shpreh dje se shkaku i vdekjes së klientit të tij ishte arresti kardiak, ndërsa pranoi faktin se përdorte ilaçe anti-depresive.
Andon Mëhillaj, njeriu që akuzohej se gjente klientët për vrasësin me pagesë Julian Sinanaj, u vetëdorëzua në shkurt të 2014, i shoqëruar nga një miku i tij, ndërsa për të Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi burgim përjetë.
Ai u cilësua si kreu i bandës së tritolit në Vlorës, pasi personat që kishin konflikte me ta, i ekzekutonin përmes vendosjes se tritolit në makina, biznese apo banesa. Mëhillaj akuzohej edhe si gjente klientë për ‘killerin’ me pagesë, Julian Sinanaj.
Andon Mëhillaj së bashku me Genis Mehillaj u shpallën në kërkim në janar të 2014 pas rrëfimit të Julian Sinanajt i cili tha se ishin pikërisht ata që gjenin klientët që kërkonin të bënin vrasje. Ndërkohë që kushërinjtë Mehillaj akuzohen direkt se kanë porositur edhe vrasjen e fqinjit të tyre Sokol Veizi.
Grupi i Andon Mëhillajt u akuzua për një sërë krimesh, vrasje, plagosje, vënie tritoli e shkatërrim prone, ndërsa ekzekutori i çdo krimi, Julian Sinanaj mundi ti shpëtoj burgut përjetë vetëm pasi bashkëpunoi me drejtësinë duke u dënuar me 30 vite burg. Ky grup u dënua edhe për tentativën për ekzekutim të ish prefektit të Vlorës Besnik Dervishi dhe biznesmenit të hidrokarbureve P.B.
Sipas Prokurorisë hetimi ndaj tyre ka nisur në Janar të vitit 2014, pas disa atentatesh me armë zjarri dhe lëndë plasëse që ndodhën ose mbetën në tentativë në Vlorë dhe Tiranë.