Të paktën 1.146 persona e kanë humbur jetën në 6 muajt e parë të vitit 2021 duke u përpjekur të arrijnë në Evropë përmes detit, shifër e cila sipas Organizatës Ndërkombëtar për Migracion (IOM) është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2020, IOM tha se 513 migrantë janë mbytur duke u përpjekur të bëjnë kalimin.
“IOM përsërit thirrjen ndaj vendeve për të ndërmarrë hapa urgjente dhe proaktive për të reduktuar humbjen e jetëve në rrugët e migrimit detar drejt Evropës dhe për të mbështetur detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Antonio Vitorino, drejtor i përgjithshëm i IOM-it.
Sipas tij, rritja e përpjekjeve të kërkim-shpëtimit, krijimi i mekanizmave të parashikueshëm të zbarkimit si dhe sigurimi i aksesit në rrugët e migrimit të sigurt dhe të ligjshëm janë hapat kryesore drejt arritjes së këtij qëllimi.
Numri i personave që përpiqen të kalojnë në Evropë përmes Mesdheut midis janarit dhe qershorit u rrit për 58 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Projekti për Migrantët e Humbur përgatiti raportin në Qendrën Globale të Analizës së të Dhënave për Migracionin pranë IOM-it.
Projekti tregon rritje të vdekjeve dhe operacione të pamjaftueshme kërkim-shpëtimi në Mesdhe dhe në rrugën e Atlantikut për në Ishujt Kanarie, ku kapjet në brigjet e Afrikës së Veriut po ashtu janë në rritje.
Në gjysmën e parë të vitit 2021, shumica e burrave, grave dhe fëmijëve që humbën jetën në përpjekje për të arritur në Evropë po tentonin të kalojnë Mesdheun, ku u dokumentuan 896 vdekje.
Nga këto, të paktën 741 persona vdiqën në rrugën e Mesdheut Qendror ndërsa 149 duke kaluar në Mesdheun Perëndimor dhe gjashtë në Mesdheun Lindor nga Turqia në Greqi.
Në të njëjtën periudhë, rreth 250 të tjerë humbën jetën duke u përpjekur të arrijnë në Ishujt Kanarie të Spanjës në rrugën nga Afrika Perëndimore drejt Atlantikut.
“Vdekjet në rrugët detare janë shumë më të larta se të dhënat në dispozicion”
Megjithatë, thekson IOM-i, kjo shifër mund të jetë e ulët.
Organizatat joqeveritare në kontakt të drejtpërdrejtë me ata në bord ose me familjet kanë raportuar qindra raste të rrënoja të padallueshme të anijeve.
Raste të tilla, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u verifikuar, tregojnë se vdekjet në rrugët detare për në Evropë janë shumë më të larta se të dhënat në dispozicion.
Raporti po ashtu tregon një rritje për të dytin vit radhazi në operacionet detare të vendeve të Afrikës Veriore përgjatë trasesë së Mesdheut Qendror.
Në gjysmën e parë të vitit 2021, mbi 31.500 persona u kapën ose u shpëtuan nga autoritetet e Afrikës së Veriut krahasuar me 23.117 në gjashtë muajt e parë të vitit 2020.
Operacione të tilla në brigjet e Tunizisë u rritën me 90 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Mbi 15.300 persona u kthyen në Libi në gjashtë muajt e parë të këtij viti, pothuajse tre herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar kur u kthyen 5.476 persona.
“Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh se migrantët që kthehen në Libi u nënshtrohen ndalimit arbitrar, zhvatjes, zhdukjeve dhe torturave”, tha IOM.