Andon Mëhillaj i dënuar me burgim të përjetshëm, ka ndërruar jetë. Ai vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Peqin, ndërsa burime bëjnë me dije se ai ka pësuar një atak kardiak. Ndërkohë teksa transportohej drejt spitalit të burgut të Tiranës ka gjetur vdekjen.
E gjithë ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës. Andon Mëhillaj, 45 vjeç, vuante dënimin i vetëm në një qeli të sigurisë së lartë për shkak të dënimit me burgim të përjetshëm. Dyshohet se ka qenë një nga gardianët e burgut të Peqinit që e ka gjetur fillimisht brenda qelisë pa ndenja Andon Mëhillajn më pas ai ka humbur jetën në tentativë për tu transportuar drejt spitalit të burgut në kryeqytet.
Andon Mëhillaj, njeriu që akuzohet se gjente klientët për vrasësin me pagesë Julian Sinanaj, u vetëdorëzua në shkurt të 2014, i shoqëruar nga një miku i tij, ndërsa për të Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi burgim përjetë. Ai u cilësua si kreu i bandës së tritolit në Vlorës, pasi personat që kishin konflikte me ta, i ekzekutonin përmes vendosjes se tritolit në makina, biznese apo banesa. Mëhillaj akuzohet edhe si personi që porosiste që gjente klientë për ‘killerin’ me pagesë, Julian Sinanaj.
Andon Mëhillaj së bashku me Genis Mehillaj u shpallën në kërkim në janar të 2014 pas rrëfimit të Julian Sinanajt i cili tha se ishin pikërisht ata që gjenin klientët që kërkonin të bënin vrasje. Ndërkohë që kushërinjtë Mehillaj akuzohen direkt se kanë porositur edhe vrasjen e fqinjit të tyre Sokol Veizi.
Grupi i Andon Mëhillajt u akuzua për një sërë krimesh, vrasje, plagosje, vënie tritoli e shkatërrim prone, ndërsa ekzekutori i çdo krimi, Julian Sinanaj mundi ti shpëtoj burgut përjetë vetëm pasi bashkëpunoi me drejtësinë duke u dënuar me 30 vite burg. Ky grup u dënua edhe për tentativën për ekzekutim të ish prefektit të Vlorës Besnik Dervishi dhe biznesmenit të hidrokarbureve P.B.
Sipas Prokurorisë hetimi ndaj tyre ka nisur në Janar të vitit 2014, pas disa atentatesh me armë zjarri dhe lëndë plasëse që ndodhën ose mbetën në tentativë në Vlorë dhe Tiranë.
Avokati i Andon Mëhillajt, Edmond Dema ka bërë një reagim për mediat pas ndarjes nga jeta të klientit të tij. Sipas avokatit, ata janë njoftuar se shkaku i vdekjes së klientit të tij ishte bërë një arrest kardiak.
Ndër të tjera avokati Edmond Dema është shprehur se prej kohësh Andon Mëhillaj ishte i sëmurë dhe gjithmonë përdorte ilaçe anti-depresive. Ndërkohë ai ka shtuar se klienti i tij ka tentuar të vras edhe veten duke prerë damarët por që arriti të shpëtonte.
Për sa i përket rekursit për dënimin e dhënë nga Krimet e Rënda, avokati Edmond Dema është shprehur se klienti i tij nuk i ka pranuar kurrë akuzat që rëndonin mbi të.
“Ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Deri më tani thuhet për atak Kardiak. E kemi pasur gjyqin në mes se kemi qenë me rekurs në gjykatën e lartë. Gjatë gjithë kohës ka pretenduar për pafajësi. Në këto kushte edhe për hatër të fëmijëve, gjithmonë shpresonte. Kishte shpresa, shqetësimi i tij ky ishte. Para rreth dy muajsh kam folur me telefon. Kam folur edhe me familjarët. Se prisnim ngritjen e Gjykatës së Lartë.
Ai ka pas një trastë me ilace, anti-depresantë. Ka patur tentativë për vetëvrasje, preu damarët. Ishte njeri i dobët konkretisht, por akuzat si ka pranuar asnjëherë. Ai thoshte pse më kanë quajtur ‘kapo’ i grupit. Por financat e tij lenin për të dëshiruar. Po ankthi i tij ishte i shtuar. Me vdekjen e tij besoj se i mbylli të gjitha. Gjykimi i tij u bë me dyer të mbyllura. Ai që e implikonte ishte Julian Sinanaj ku edhe ky i ka mohuar shumë akuza. Prandaj ne edhe bëmë rekursin.” tha avokati.
Familjarët e Andon Mëhillajt bëjnë fajtorë shtetin pasi sipas tyre e kanë mbajtur të izoluar pa ndihmë mjekësore edhe pse ai vuante nga zemra.
“Vuante nga zemra që në momentin që hyri në burg. Shteti e ka lënë të izoluar. Ka ndërruar jetë për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore.” janë shprehur familjarët.
Deri më tani dyshohet se shkak i vdekjes së tij është bërë pikërisht një komplikacion me zemrën ndërsa pritet që të kryhet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar përfundimisht shkaqet e vdekjes.
Në banesën e Andon Mëhillajt në Vlorë është vetëm e shoqja e tij së bashku me fëmijët dhe vjehrrën, ndërsa prindërit e Andon Mëhillajt ndodhen në Itali .