Familjarë dhe të afërm të 27-vjeçarit Ene Ftoj, që humbi jetën në dhomën e paraburgimit në Komisariatin e Korçës, kanë protestuar këtë mesditë para Ministrisë së Brendshme, në kryeqytet.
Familjarët kanë bërë thirrje për drejtësi, duke pretenduar se i riu është dhunuar nga policia deri në vdekje. Vëllai dhe nëna e 27-vjeçarit thanë se qeveria duhet të marrë masa, ndryshe do të marrin vetë.
“T’i jepnin dënimin ta vuante, atij i kanë bërë masakër, e kanë dhunuar. Unë dua drejtësinë e vëllait.”-u shpreh vëllai i të ndjerit.
“Qeveria të marrë masa për atë fëmijë. Një nënë ka kaluar në depresion, një baba po, tre fëmijë i ka rrugëve, fukarenj po.
Po sikur të ishin fëmijët e tyre e të bëheshin në këtë gjendje, do ta kërkonin ata. Nëse nuk merr masa qeveria, do të marrim ne.”-u shpreh nena e Ene Ftoj-it
Protesta për vdekjen e të riut vjen një ditë pasi dolën rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, ku thuhej se ndaj 27-vjeçarit nuk është ushtruar dhunë fizike.