Nga 7 prej rrugëve dytësore që lidhin zonat e banuara gjatë sezonit turistik me plazhin e Velipojës 6 prej tyre janë të amortizuara.
Në një gjendje të tillë ndodhen prej shumë vitesh. Asnjëherë këto akse tejet të rëndësishme jo vetëm për lëvizjen por edhe zhvillimin e turizmit në tërësi në plazhin e Velipojës nuk janë menduar që të rikonstruktohen. Këto 6 rrugë janë pjesa më kryesore pothuajse duke qenë se lidhin shumë zona të ndryshme, akse të tjera dytësore, pjesë në të cilat ndodhet dhjetra hotele, shtëpi pushimi apo edhe shumë njësi tregtare. Për të mos mjaftuar janë segmente që ndonëse në gjatësi jo shumë të gjata, të çojnë direkt në zonën e rërës në plazhin e Velipojës. Mijëra turistë e pushues vendas përballen me këtë situatë në çdo vit të sezonit turistik.
Natyrisht që përveç problemeve në qarkullim edhe rrugë dytësore janë një imazh aspak i mirë në sytë e turistëve të huaj të cilët mund edhe të mos vijnë më për shkak të infrastrukturës që lë për të dëshiruar. Si një zonë e rëndësishme dhe një prej plazheve kryesore në vend, amortizimi i rrugëve në Velipojë sjell edhe një sasi të lartë të ndotjes së ajrit që përfundon në mushkëritë e turistëve dhe pushuesve.
Ndryshe nga njësi të tjera, Velipoja është një vend që gjithë këto vite ka sjellë shuma të mëdha të ardhurash më përpara për komunën e tani, vitin që kaloi për bashkinë Shkodër pas reformës territoriale. Pavarësisht të ardhurave të arkëtuara asnjëherë nuk janë kthyer mbrapsht në investime serioze dhe shembulli më i mirë për këtë janë këto 6 rrugë dytësore. Edhe këtë sezon turistik që vjen vetëm pas pak muajsh turistët e pushuesit do të detyrohen që të përballen me këtë situatë.