Kryebashkiakja Voltana Ademi është fajësuar nga drejtori rajonal i tatimeve Hysen Hysaj për mungesën e bashkëpunimit në lidhje me zënien e hapësirave publike në Velipojë.
Drejtori Hysaj reagoi pas kronikës në Star Plus ku kryebashkiakja tha se është e pakënaqur nga mosveprimi sipas ligjit nga tatimet. Kreu i tatimeve thotë se bashkia nuk ka firmosur shkresën për task-forcën ndërsa shprehet se ka ndërtuar një tjetër task-forcë duke përjashtuar tatimet. Drejtori Hysaj thotë se nuk ka asnjë listë nga bashkia Shkodër për persona të paliçensuar që kanë zënë hapësirat publike në Velipojë siç pretendon kryebashkiakja Ademi. Hysaj thotë se tatimet nuk mund të sekuestrojnë shezllonet në hapësirat publike në Velipojë sepse janë në mes të subjekteve të liçensuara dhe se këtë punë sipas tij duhet ta bëjë bashkia Shkodër. Pavarësisht ping-pongut që bëjnë institucionet, histori që kanë nisur që në fillim të verës, hapësirat publike në Velipojë vijojnë të jenë të zëna në shumë pjesë.