Pak minuta pas zjarrit masiv që përfshiu restorantin “Il Cavaliero” në Velipojë, 3 të plagosurit kanë mbërritur më urgjencë në ambientet e Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Fillimisht mbërriti pronari i lokalit, 55 vjeçari Besnik Zejnuni, ku pas verifikimit të gjendjes së tij është dërguar menjëherë me helikopter drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë pak minuta më vonë kanë mbërritur edhe dy të plagosurit e tjerë, Saida Spahija 19 vjeçe dhe i biri i pronarit të lokalit, 33 vjeçari Hektor Zejnuni.
Edhe ky i fundit u dërgua me urgjencë drejt QSUT-së. Nisja e dy të plagosurve rëndë me helikopterët sanitarë drejt Tiranës u monitorua nga prefekti i Qarkut Shkodër, drejtori i policisë dhe drejtori i Spitalit Rajnal të Shkodrës. Për prefektin Paulin Radovani, situata u menaxhua në mënyrën më të mirë të mundshme. Prefekti Radovani kërkoi të zbardhen rrethant e ngjarjes që shkaktoi 4 të plagosur në Velipojë.
Rreth 2 orë pas rënies së zjarrit, në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës mbërriti edhe infermierja Vjollca Voci, e cila është asfiksuar gjatë ndërhyrjes për shpëtimin e të lënduarve në Velipojë.
Burime pranë Spitalit bëjnë me dije se gjendja e infermieres është e normalizuar. Po ashtu edhe 19 vjeçarja Saida Spahija po mbahet nën monitorimin e mjekëve. Dy të plgaosurit e tjerë që u dërguan drejt Tiranës janë aktualisht në gjendje të kritike për jetën.