Ka përfunduar procedura e shprehjes së interesit për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, përkatësisht shtatë kandidatë për tre vende vakante.
Në përfundim të afatit ligjor për shprehjen e interesit për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, shprehën interes dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar prokurorët nga Prokuroritë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit si më poshtë:
• Z. Moisi Duda, prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm;
• Znj. Afërdita Ndoi, prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm;
• Znj. Edina Kurti, prokurore në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës;
• Znj. Edlira Bako, prokurore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan;
• Znj. Elsa Miha prokurore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
• Z. Olgert Eminaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë; dhe
• Z. Vatë Staka, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.
Për 3 pozicionet vakante në KLP, në 2 prej tyre mund të zgjidhen prokurorë të shkallës së parë, dhe në 1 pozicion, mund të zgjidhen prokurorë të prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Administrata e Prokurorisë së Përgjithshme, brenda 7 ditëve nga dita kur mbyllet afati për dorëzimin e kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe shpall kandidaturat në faqen zyrtare.