Qeveria në mbledhjen e sotme që është e fundit për këtë vit ka marrë disa vendime të rëndësishme. Përpos vendimeve për shpërblimet për pensionistët dhe draftit për amnistinë janë miratuar edhe disa të tjera.

Premtimi i bërë pak javë më parë tashmë është bërë realitet për nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, që humbën anëtarë të familjes si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019, pasi do të përfitojnë bursë në masën 15 000 lekë në muaj.

Ndërkohë që është miratuar edhe një rishpërndarje fondesh, Ministrisë së Ekonomisë i janë hequr 300 mln lekë duke i kaluar Ministrisë së Shëndetësisë. Këshilli i Ministrave gjithashtu ka miratuar emërimin e drejtorit të ri të Cirkut Kombëtar. Ai do të jetë Ilirjan Gjini, që zë vendin e Saimir Çilit. Një tjetër vendim i marrë sot ka qenë edhe zgjatja e ditëve të pushimit për administratën. Përveç datës 1 dhe 2 janar shtohet si ditë pushimi edhe data 3 Janar.

Kjo do të thotë që pushimet për Vitin e Ri për të gjithë punonjësit e administratës publike të nisin nga 31 dhjetori dhe të vazhdojnë deri më 6 janar. Dita e premte që do të bëhet pushim do të zëvendësohet nga ditët e pushimit brenda muajit janar.

Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar edhe një tjetër vendim për të prekurit nga tërmeti. Sipas vendimit, nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, anëtarë të familjes së personave që kanë humbur jetën ose janë shpallur të zhdukur në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019 përfitojnë bursë në masën 15 000 lekë në muaj.

Qeveria ka miratuar një rishpërndarje fondesh nga buxheti i vitit 2019 ndërmjet ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i hiqet fondi 300 milionë lekë dhe i kalohet ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

 

 

 

 

Artikulli paraprakDALIN DATAT SI DO TË SHPËRNDAHET SHPËRBLIMI I QEVERISË PËR PENSIONISTËT
Artikulli tjetërSHKODER ,FESTA E KRISHTLIDJES !