Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka një mënyrë të thjeshtë për të siguruar se do të mbajë premtimet pa i rritur taksat.
“Do t’i ul taksat. Zgjidhja është që nuk do të vjedh. Para ka. Buxheti është mbi 200 milionë euro. Nëse nuk vidhet, taksat janë të mjaftueshme për t’i bërë këto projekte. Mjaft të mos vidhet. Për pastrimin e qytetit ne paguajmë 80 mijë euro në vit, që përfshin edhe ndarjen në burim dhe incinerimin, një proces që nuk ndodh. Mjaft të paguajmë gjysmën e këtyre që paguajmë dhe do të merrnim të njëjtin shërbim. Paratë që nuk vidhen, do të shkojnë për investime publike. Taksa e arsimit ka prodhuar 51 milionë euro. Janë bërë 17 shkolla të reja, me 3 milionë euro për shkollë, kur në BE ndërtohet me 1 milion euro. Është e lehtë kur ke vullnet për të mos vjedhur paratë e qytetarëve. Prandaj jam kaq optimist. Kam hyrë në politikë me faqen e bardhë, dua të dal nga politika një ditë me faqen e bardhë”, – tha Belind Këlliçi në emisionin “Pa Censurë“, duke besuar se në garën e tij ai do të ndihmohet nga çdo opozitar, pavarësisht mosmarrëveshjeve brenda partisë. “Unë jam në anën e duhur, megjithë problemet tona, dhe jam i lumtur që nuk jam në anën tjetër ku vendos mafia e plehrave, Ndragheta dhe mafia e betonit. Për mua edhe një votë është e rëndësishme. Por nuk hyj në bisedime me një demokrat për të diskutuar votën për Belind Këlliçin apo për Erion Veliaj. Nëse ka një alternativë tjetër, bëjmë primare të tjera që nesër, të futet me mua, por përsa kohë kemi një vendim nga anëtarësia e PD, askush nuk mund të dalë mbi këtë. A jam i hapur për të bashkëpunuar me këdo? Pa limit, me këdo që është në opozitë me Erion Veliaj, me Edi Ramën, jam i hapur për bashkëpunim.”, tha Këlliçi, që duhet të kapërcejë edhe një pengesë ligjore për t’u regjistruar si kandidat me siglën dhe vulën e PD. Por ai duket i qetë dhe i bindur se në 3 mars, nuk do të ketë surpriza me vendimin e gjykatës.
“Unë do të hyj në zgjedhje si kandidat i PD. Jam i bindur që nuk ka qytetar shqiptar, qoftë ky gjykatës, prokuror që nuk e di që ky lidership i PD është i pamohueshëm dhe realiteti politik ku jetojmë është i pamohueshëm. Kush gjyqtar mund të mohojë realitetin që unë jam produkt i mbi 8 mijë demokratëve të Tiranës? Pra unë do të hyj në zgjedhje dhe do të përfaqësoj PD.”-u shpreh I bindur Belind Këlliçi, i cili i përgjigjet me optimizëm edhe pyetjes për një kandidat eventual alternativ nga ana e grupimit tjetër në PD “ Treni ecën përpara dhe shkon në destinacion. Erion Veliaj mundet në 14 maj”, tha Këlliçi.