Në një postim në rrjete sociale Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila është në një vizitë zyrtare pune në Itali, theksoi se me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave, iu dha zgjidhje përfundimtare problemit të transportit për të gjithë punonjësit arsimorë që punojnë larg vendbanimit të tyre. Konkretisht, vendimi garanton përfitimet për të gjithë mësuesit, punonjësit psiko-socialë dhe oficerët e sigurisë që punojnë jashtë qendrave urbane në largësinë 5 – 50 km, edhe në rastet kur kanë vendbanimin jashtë ZVAP-së ku ndodhet qendra e punës.

Në VKM-në e vjetër pagesë për transport merrnin vetëm ata mësues të cilët banojnë 5 deri në 50 km larg shkollës ku punojnë, por brenda të njëjtës bashki. Tashmë ky kriter vjen i ndryshuar, dhe sipas vendimit të ri pagesën e transportit e përfitojnë edhe ata mësues që japin mësim nga 5 deri në 50 km larg vendbanimit, ndonëse shkolla mund të jetë në një bashki tjetër.

Gjithashtu, do të vijojnë të përfitojnë transport të rimbursuar: nxënësit që ndjekin procesin mësimor në shkolla publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë mbi 2 km, nxënësit që jetojnë në qendra rezidenciale, grupet e nxënësve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë, nxënësve të arsimit parauniversitar me aftësi të kufizuara, që gëzojnë statusin ligjor të invalidit, që nuk shikojnë, që nuk dëgjojnë, invalidit paraplegjik dhe invalidit tetraplegjik; nxënësit që ndjekin procesin mësimor në shkollat publike, të arsimit të mesëm të lartë dhe të arsimit profesional, godinat e të cilave kanë dalë jashtë funksionit apo janë në rikonstruksion/rindërtim, dhe që udhëtojnë mbi 5 km, larg vendbanimit të përhershëm.

Artikulli paraprakPANAIRI “WORK AND STUDY” NË SHKODËR
Artikulli tjetërPASTROHEN KANALET KULLUESE NË FSHATIN SUKA DAJÇ