Vendimi i Kushtetueses – BE: Mbështetje për proces të plotë Vettingu, SHBA: Prioriteti kryesor i yni

Delegacioni i Bashkimit Evropian e konsideron lajm të mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur ligjin e Vettingut në përputhje me Kushtetutën shqiptare. Me anë të një reagimi, BE-ja inkurajon autoritetet shqiptare që të fillojnë sa më shpejt zbatimin e ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. “Kjo është thelbësore për përparimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të shumëpritur nga qytetarët shqiptarë”, thuhet në reagim. Komisioni Evropian do të mbështesë Shqipërinë në kryerjen e një procesi të plotë dhe të besueshëm të verifikimit duke udhëhequr nga Operacioni Monitorues Ndërkombëtar. Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka kërkuar nga partitë politikë që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke i nxitur ato që të veprojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë. Reagimi i ambasadës së SHBA: Ambasada e SHBA në Tiranë mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vetingut. I bëjmë thirrje të gjitha partive politike të respektojnë vendimin e Gjykatës. Gjithashtu, nxisim udhëheqësit shqiptarë të punojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Një reformë kuptimplotë që i largon gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor gëzon mbështetjen e publikut të gjerë dhe është një prioritet kryesor i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Artikulli paraprakTRUMP: MYSLIMANËT? KISHA TË DREJTË, SULMET NË BERLIN E TREGUAN
Artikulli tjetërBIE NGA ÇATIA, NË GJENDJE TË RËNDË SHQIPTARI