Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Bordin e Karburanteve deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e konsideron të paplotë, edhe pse thotë që i dha të drejtë një grupi prej deputetëve të PD në lidhje me bordin e karburanteve! Tabaku shkruan se Bordi duhet të ishte zhbërë menjëherë.
“E kam quajtur që në fillim bordi komunist, bordi oligarkëve sepse në fakt më pak se sa pesë kompani janë përfitues prej tij dhe është rasti unik në botë ku biznesi ulet me qeverinë e përcakton çmimin në kurriz të qytetarëve. Prej vendimeve abuzive dhe korruptive të këtij bordi qytetarët kanë paguar 600 mln euro taksa shtesë nga rritja e çmimit qe kanë shkuar te kompanitë dhe tek buxheti i shtetit! Ky biznes me krizën duhej patjetër ndërprerë menjëherë, ndërkohë që GJK vendosi se antikushtetues tek ky bord është afati kohor i papërcaktuar. Pra ia la në dorë qeverisë ta ndërpresë”, shkruan Tabaku.
Deputetja demokrate thotë se nuk e kupton arsyen se pse ndërkohë që për bordin e çmimit të ushqimeve me të njëjtën bazë, ligjore dhe me të njëjtin arsyetim në ngritje e gjeti plotësisht antikushtetues ndërsa bordin e karburanteve e gjeti pjesërisht.
“Unë nuk i kam sulmuar e nuk do t’i sulmoj kurrë gjykatat e prokurorët si bën rëndom shumica e politikës, por sot kushdo duhet të pyesë veten si ka mundësi që dy borde që janë krijuar me të njëjtën mënyrë, zbatojnë të njëjtën bazë ligjore, e janë firmosur nga të njëjtët gjyqtarë në GJK jepen dy vendime të ndryshme. Si mundet që dy pika uji të ngjashme të njëjta, Gjykata Kushtetuese i gjen të ndryshme?”, përfundon postimi në Facebook i Jorida Tabakut.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi të publikuar dje ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për ta konsideruar anti kushtetues Bordin e Transparencës. Në vendim “Kushtetuesja” nuk e ka shkrirë Bordin, siç PD kërkonte, por kanë shfuqizuar vetëm një nen të saj, në të cilën speficikon se ai nuk mund të shkrijë vetveten, por duhet të jetë qeveria që merr një vendim të tillë.
Që do të thotë, se Bordi nuk duhet të shkrihet me vendim të anëtarëve të tij. Ai vijon të ekzistojë dhe të përcaktojë çmimet e Karburanteve, por tani më nuk do të jetë në tagerin e tyre për të marrë vendimin për t’u shkrirë ose jo. Bordi i Karburanteve u krijua me akt normativ të qeverisë më 12 Mars 2022 për të mbajtur nën kontroll çmimet e karburanteve të ndikuara nga lufta në Ukrainë. Ai është një institucion që është krijuar në një situatë emergjente, siç ishte rritja e çmimeve. E për rrjedhojë, theksohet se situatën e jashtëzakonshme, nuk mund ta përcaktojë Bordi se kur ai do duhet të funksionojë ose jo, por duhet të jetë qeveria që vendosë.