Një numër i lartë pozitash pritet të shkurtohen nga administrata publike, pas një vendimi të marrë gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave, i cili vulosi edhe rishikime në numrin e punonjësve të disa ministrive.

Më e prekura do të jetë Ministria e Financave, më pas ajo e Kulturës, si edhe numri i punonjësve rezervë. Vendimi vjen ndërkaq pas ndarjes që patën Financat nga Ekonomia dhe bashkimi me këtë të fundit i Kulturës dhe Inovacionit.

Vendimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:

Numri i punonjësve të ministrisë përgjegjëse për financat, miratuar në buxhetin e vitit 2024, reduktohet me 113 (njëqind e trembëdhjetë) punonjës.
Numri i punonjësve të aparatit të ministrisë përgjegjëse për kulturën, miratuar në buxhetin e vitit 2024, reduktohet me 91 (nëntëdhjetë e një) punonjës.
Numri i punonjësve rezervë të buxhetit të miratuar për vitin 2024 reduktohet me 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve rezervë në 29 (njëzet e nëntë) veta.
Numri i punonjësve të përmendur në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, alokohet në aparatin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, kulturën dhe inovacionin dhe numri i punonjësve për këtë ministri bëhet 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) veta.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Artikulli paraprakMARTESAT BIEN NDJESHËM NË EUROPË, NDËRSA NË SHQIPËRI JANË ENDE NDËR MË TË LARTAT
Artikulli tjetërSHQIPËRIA BËHET PJESË E KONVENTËS LUBJANË-HAGË, MANJA: HAP VENDIMTAR NË LUFTËN KUNDËR PANDËSHKUESHMËRISË