“Problemi sot nuk janë fëmijët tanë, por ne vetë. Problemi është shoqëria jonë dhe çfarë po ndodh me të. TikTok dhe të gjitha platformat e tjera që po marrin peng fëmijët tanë janë shqetësimi i vërtetë”,- deklaroi Kryeministri Rama kur njoftoi për mbylljen e TikTok-ut në Shqipëri. Vendimi i qeverisë shqiptare për bllokimin e aplikacionit “TikTok” për një periudhë njëvjeçare ka tërhequr vëmendjen e të gjitha mediave ndërkombëtare.

Gazeta më e madhe italiane, “La Repubblica”, e cilëson këtë veprim si një rast unik, ndryshe nga 20 shtetet e tjera që kanë vendosur ndalime ndaj kësaj platforme.

“La Repubblica” thekson: “Deri më tani, rreth 20 shtete kanë ndaluar përdorimin e ‘TikTok’. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë kufizuar aksesin e këtij aplikacioni vetëm në pajisjet e përdorura nga zyrtarët e institucioneve. Mbretëria e Bashkuar ka ndjekur të njëjtën qasje. Por Shqipëria është një rast më vete, pasi vendimi është marrë për të shmangur përhapjen e kulturës së dhunës dhe ‘përversiteteve’, siç përmendet në motivacionin zyrtar.”

Gazeta italiane shkruan gjithashtu se ky vendim erdhi si pasojë e një ngjarjeje tragjike më 20 nëntor të vitit të kaluar, kur një 14-vjeçar nga Tirana u vra me thikë nga një bashkëmoshatar.

Përveç kësaj, “La Repubblica” përmend edhe kritikat e forta nga opozita. Ish-Kryeministri Berisha dhe politikanë të tjerë e kanë quajtur këtë ndalim “censurë politike”, duke theksuar se “TikTok” përdoret edhe për qëllime politike dhe fushata elektorale.

Artikulli paraprakVDES NË MOSHËN 116-VJEÇARE NJERIU MË I VJETËR NË BOTË
Artikulli tjetërZGJAT GJASHTË DITË/ NIS FUNERALI SHTETËROR PËR ISH-PRESIDENTIN AMERIKAN JIMMY CARTER