ARBITRI I NDESHJES NUK KA QENË I DREJTË NË RAPORT. Një ditë para vendimit që do të marrë UEFA, për ndeshjen Serbi-Shqipëri, kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka thënë se pritet një vendim i drejtë. Sipas kreut të FSHF-së është bërë një lojë fjalësh në raportin e dorëzuar nga arbitri i ndeshjes. Duka zbuloi se arbitri në raportin e tij ka shkruar se Shqipëria refuzoi të futej në fushë për të luajtur.

Gjithashtu Duka tha se oficeri i sigurisë dhe delegati i UEFA-s në raportin e tyre kanë pasqyruar me saktësi atë që ndodhi, përveç koreve raciste. Kreu u FSHF-së tha se pret trepikëshin nga UEFA, ndërsa sipas tij pala shqiptare e ka kopsitur mbrojtjen në mënyrë kronologjike dhe me fakte. Federata Shqiptare e Futbollit në Komisionin e Disiplinës do të mbrohet nga dy studio të fuqishme, njëra britanike dhe tjetra zvicerane për të dalë fituese përballë palës serbe. Mbrojtja e Shqipërisë në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës në UEFA do të bazohet në tre pika. Pika kryesore e mbrojtjes lidhet me dështimin e Federatës Serbe në organizimin dhe funksionimin e ndeshjes së 14 Tetorit në Beograd. Pika e dytë lidhet me hyrjen e tifozëve në fushë dhe goditjen e futbollistëve shqiptarë dhe pjesëtarëve të delegacionit me sende të forta, madje autorë përpos tifozëve kanë qenë edhe punonjësit e sigurisë së stadiumit. Ndërsa pika e tretë bazohet te koret raciste që në fillim të ndeshjes me injorimin e himnit kombëtar të Shqipërisë, aneksimit të flamurit, mesazheve politike ku në një banderolë të madhe shkruhej ”Kosova është Serbi” dhe thirrjeve fyese. 

 

Artikulli paraprakBAYERN SHKATËRRON ROMËN 1-7
Artikulli tjetërSINDIKATA: NËNSHKODRA RREZIKON PËRMBYTJET