Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit vendos konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të 40% të pasurive të Klement Balilit.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në përcaktimet e ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurive”, (i ndryshuar), ka kryer hetim financiar mbi pasuritë e shtetasve Kelmend dhe Bashkim Balili, si dhe të shoqërisë “Balili & Co” shpk.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas kërkesës për konfiskim të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme për konfiskim, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.18, datë 21.09.2020, vendosi Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit në pjesë ideale 40% të pasurive” njofton SPAK.

Po cilat janë pasuritë e Balilit ku shteti do të marrë në pjesë ideale 40% të tyre?

⦁ Truall me sipërfaqe 11.994 m2, ndodhur në qytetin e Sarandës në emër të “Balili % CO” shpk.
⦁ Objekti “Ish – Kampi i Pushimit të Punëtorëve, 4 + 1 kate, me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2, ndodhur në qytetin e Sarandës në emër të “Balili % Co” shpk.
⦁ Truall me sipërfaqe 1716.91 m2, ndodhur në qytetin e Sarandës në emër të “Balili % Co” shpk.

⦁ Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit në pjesë ideale 40% të pasurive të ndodhura në qytetin e Sarandës në emër të shtetasit Bashkim Balili si më poshtë:

⦁ Apartament me sipërfaqe 53.5 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 67 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 91 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 52.5 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 57 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 52.5 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 57 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 67 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 42.5 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 67 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 42.5 m2
⦁ Njësi me sipërfaqe 120 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 42.5 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 42.5 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 66 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 67 m2
⦁ Apartament me sipërfaqe 72.5 m2

Për administrimin dhe përdorimin e pronave të konfiskuara gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë.

Më 7 maj të 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 10 vite burg Klement Balilin. Ai u shpall fajtor për 4 akuza.

Për akuzën trafikim i lëndëve narkotike gjykata dha dënimin 14 vite burg, për pjesëmarrje në grup kriminal 2.6 vite burg. Për akuzën e pastrimit të parave u dënua me 5 vite burg dhe për deklarim të rremë, mosdeklarim dhe fshehje pasurie, dënimi ishte 6 muaj burg.

Në përfundim, në bashkim të të gjithë dënimeve, togat e zeza e dënuan me 15 vite burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij bëhet 10 vite burg. Ndërkohë Prokuroria kishte kërkuar për Balilin 18 vite burg.

Balili e apeloi këtë vendim përmes avokatëve të tij në tetor të 2019, por Apeli e rrëzoi kërkesën duke lënë në fuqi dënimin e dhënë nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda.

Po kush është Klement Balili?

Klement Balili ka qenë për 2 vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në 2016, emëruar nga LSI-ja.

Pikërisht në këtë vit nisi edhe historia. Mediat greke në 2016 pohuan se një sasi prej 700 kilogramë Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në vendin helen i përkiste Kelment Balilit, të cilin e quajtën edhe “Escobari i Ballkanit”. Hetimi ndaj Balilit në Greqi, është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke.

Në këtë hetim, DEA amerikane e policia greke, janë asistuar edhe nga policia shqiptare. Balili të vetmen dalje publike e ka në 2016 duke mohuar akuzat e drejtësisë greke më pas u arratis, pasi u shpall në kërkim.

Ai është pronar i disa bizneseve duke filluar nga “Santa Quaranta” në Sarandë, hotel Olivia në bregdetin e Butrintit, ndërkohë që së bashku me vëllezërit e tij ka qenë pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk” në qarkun e Vlorës dhe disa bizneseve të tjera.

Për arrestimin e Balilit nuk kanë munguar dhe qëndrimet e selive diplomatike. Ish-ambasadori amerikan Donald Lu gjatë mandatit që shërbeu në Shqipëri e cilësoi “peshk i madh”.

Artikulli paraprakAMERIKANËT PREMTOJNË INVESTIME NË KOSOVË, GRENELL: AI PAS MEJE, NJERIU I PARAVE, DO TË SJELLË NJË ÇEK TË MADH. PRESIDENTI TRUMP MË THA QË…
Artikulli tjetërMOS HARRONI TË MERRNI ÇADRËN ME VETE, RIKTHEHEN SHIRAT!