Është vendosur pas shumë kohësh pllaka informuese pranë Urës së Mesit, në njësinë administrative Postribë të bashkisë Shkodër. Më herët, ka qenë e vendosur një pllakë e cila u dëmtua nga persona të papërgjegjshëm, ndërsa zëvëndësimi I saj u la në harresë nga drejtuesit e asaj kohe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
Disa herë, përmes medias banorë të zonës që kanë pritur turistë të shumtë por edhe vetë turistët e kanë çuajtur si të pavend mungesën e kësaj pllake informuese në një nga zonat me frekuentim të lartë kryesisht gjatë verës, por duket se tashmë po plotësohen të gjitha ksuhtet që kjo pasuri kulturore të vihet në dispozicion të turistëve me të gjithë sinjalistikën e nevojshme.
Një ditë më parë edhe DRTK Shkodër lajmëroi vendosjen e kësaj pllake duke thënë se:
“Përmirësimi i aksesit dhe vendosja e sinjalistikës turistike për monumentet e kulturës është ndër prioritetet e #drtkshkodër në prezantimin e siteve të trashëgimisë kulturore.
Specialistët e #drtkshkoder përfunduan së vendosuri pllakën informuese pranë pasurisë kulturore ‘Ura e Mesit’, si një nevojë e paraqitjes sa më dinjitoze të këtij destinacioni turistik nën mbrojtjen e #drtkshkoder , ndërkohë që pllaka prej guri u punua mjeshtërisht nga restauratori Petrit Bilali.”
Ndërkohë, mbetet për t’u parë ecuaria e mëtejshme e punës për ndriçimin e kësaj ure, një projekt I premtuar që prej vitit 2018 por që ende nuk është zbatuar edhe pas 4 vitesh.