Raporti final i Komisionit të Venecias mbi ligjin e Vettingut ka mbërritur tashmë në Tiranë dhe në të deklarohet se drafti respekton Kushtetutën e vendit, ndryshe nga sa është pretenduar nga opozita.
Komisioni i Venecias e ka gjykuar konform Kushtetutës së Shqipërisë ligjin e Vettingut. ABCnews mësoi se opinioni final i ekspertëve përtej Adriatikut, ndonëse ende nuk është publikuar zyrtarisht, është dërguar tashmë në Tiranë. Eksponentë të mazhorancës që kanë mundur të lexojnë opinionin final të Venecias, i thanë ABCnews se ligji i Vettingut konsiderohet kushtetutes në të gjithë elementët e tij. Në përgjigjen e mbërritur nga Venecia, hidhet gjithashtu poshtë pretendimi se ligji shkel të konventën europiane të të drejtave të njeriut. Ekspertët shpjegojnë se Vettingu e respekton të drejtën e ankimimit që sanksionohet në këtë konventë, pasi e garanton atë përmes komisionit të pavarur dhe kolegjit të apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese. Venecia pranon edhe rolin e DSIK-së, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, si dhe atë të ILDKPKI-së, Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Partia Demokratike ka kundërshtuar përfshirjen e këtyre dy institucioneve në procesin e vettingut, me arsyetimin se një rol të tillë nuk ia njeh Kushtetuta e miratuar me konsensus, dhe për më tepër, sipas opozitës, ato kontrollohen nga mazhoranca. Venecia pritet të miratojë zyrtarisht këtë qëndrim në mbledhjen e saj të programuar për më 8 dhe 9 dhjetor. Në dijeni të opinionit final të Komisionit të Venecias që mbështet ligjin e Vettingut, duket se ishte edhe Donald Lu, që me shpoti deklaroi se ishte dakort me Sali Berishën që Venecia duhej të jetë baza e reformës në drejtësi. Ligji i Vettingut ishte cilësuar si anti-kushtetues nga Partia Demokratike e cila i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar rrëzimin e draftit. Kjo e fundit i kërkoi një opinion mbi çështjen Komisionit të Venecias, në bazë të të cilit trupa gjyqësore pritet të marrë edhe vendimin.