Malësia e Madhe është një nga zonat me të prekura nga dëbora dhe ngricat.
Si pasojë e kësaj, prej 3 ditësh mijëra banorë në disa prej njësive administrative janë pa ujë të pijshëm. Tubacionet janë të ngrira, ndërsa ata që jetojnë në zonat fushore të këtij rrethi detyrohen t’a blejnë ujin. Banorët e tjerë të zonave malore e kanë gjetur zgjidhjen përmes përdorimit të ujit të lumenjve. E njëjta situatë ëshë edhe në rrethin e Shkodrës. Në të gjitha njësitë administrative ka patur ngrica dhe sigurimi i ujit të pijshëm është një sfidë më vete. Situata paraqitet më problematike në njësitë administrative Rrethina dhe Postribë, ku e vetmja zgjidhje është blerja e ujit të pijshëm. E njëjtë është situata edhe në të gjitha fshatrat e tjera përreth Shkodrës, ku ngrirja e tubacioneve ka vështirësuar jetën e qytetarëve. Raste të tilla nuk kanë munguar edhe në qytet, ku janë shfaqur kryesisht në ambientet e shtëpive private.