Kjo është Mri Tinaj, një 58 vjeçare nga Vermoshi i Malësisë së Madhe e cila u lidh dhe u dhunua fizikisht bashkë me bashkëshortin e saj Tom Tinaj nga dy grabitës të maskuar dhe të armatosur. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën malore të Vermoshit. Me plagë në duar e në sy, Mri Tinaj tregon momentet e tmerrit të përjetuara pas mesnatës se si autorët pasi morën paratë një shumë prej rreth 30 mijë euro dhe sendet e argjendta u larguan duke i lënë të lidhur burrë e grua.
58 vjeçarja tregon se pas afro dy orësh që ka qëndruar e lidhur është zvarritur në shtëpinë e saj deri sa ka arritur që të lirohet vetë dhe më pas ka liruar edhe bashkëshortin.
Pasi grabitën një prej automjeteve të çiftit Tinaj, dy grabitësit humbën kontrollin dhe janë përplasur me një kodër në afërsi të fshatit Selcë në Malësinë e Madhe.
Ata kanë lënë ‘Fuoristradën’, dhe kanë ecur në këmbë rreth 1 km dhe më pas në fshatin Selcë kanë grabitur një tjetër automjet. Më pas kanë braktisur edhe automjetin e dytë dhe brenda saj kanë lënë levën me të cilën dyshohet se kanë shpërthyer shtëpinë në Vermosh si dhe armën e zjarrit kallashnikov dhe janë larguar. Të favorizuar edhe nga errësira dhe një zonë malore e cila është në kufi me Malin e Zi, dyshohet se dy grabitësit janë larguar drejt vendit fqinj.