Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nis të hënën një vizitë dyditore në Shqipëri.
Siç njoftohet nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës, gjatë vizitës kryeparlamentari Veseli do të pritet në takime të veçanta nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve shtetërore, presidenti Bujar Nishani, kryeparlamentari Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. “Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryeparlamentari Veseli do të takohet edhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj”, thuhet në komunikatë. Në komunikatën e zyrës për media, thuhet se Veseli do të ketë takime edhe me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, si dhe drejtues të partive opozitare, Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu. Temë diskutimi në këto takime do të jenë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në të gjitha sferat, me interes reciprok.