Rritja e pagave në sektorin privat dhe në atë shtetëror, dy vitet e fundit, e shtyrë nga presionet në tregun e punës e ka rritur kategorinë e personave me pagë të lartë në totalin e të punësuarve me kontribute, po që mbetet sërish e ulët në raport me totalin.
Sipas të dhënave të INSTAT, në 3-mujorin e fundit të vitit 2023, të punësuarit me pagë mujore bruto mbi 120 mijë lekë përbënin 10.7% të totalit të të punësuarve me zgjerim 3 pikë % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Pavarësisht se pagat kanë nisur të ndryshojnë si në sektorin publik dhe në atë privat, pjesa dërrmuese e punonjësve me sigurime kanë pagë minimale.
Në 3-mujorin e fundit të vitit të kaluar, personat me pagë bruto deri në 40 mijë lekë përbënin 26,5% të totalit të të punësuarve, me një rritje të ndjeshme nga 3-mujori i fundit 2022 kur kjo kategori zinte rreth 22.4% të totalit të të punësuarve.
Rritja e kategorive të punësimit si në pagën minimale dhe atë maksimale erdhën si rrjedhojë e masave të qeverisë për rritjen e pagës minimale dhe dyfishimit të pagave të larta në administratën qendrore publike.
Nga 3-mujori i parë 2022 deri në 3-mujori i tretë 2023, paga minimale u rrit me 10 mijë lekë ose 33%, teksa pagat për administratën publike u rritën mbi 70% për të gjithë kategoritë që nga specialistët në nivelet drejtuese.
“Vetëm 11% e të punësuarve me sigurime kanë pagë
Pas pagës minimale, kategoria tjetër më e madhe në totalin e punonjësve me sigurime janë ata që marrin paga bruto në nivelin 60-95 mijë lekë në muaj, të cilët përbëjnë 26.3% të totalit.
Por pagat e referuara në tatime me të cilat paguhen sigurimet nuk përfaqësojnë realitetin në sektorin privat. Në shumë sektorë ende jepen paga më të larta se sa deklarohen dhe aplikohet politika e pagës në bankë dhe ajo e zarfit.
Vendi ynë ka informalitet të lartë në tregun e punës dhe në paga. Në 3-mujorin e fundit të vitit 2023 nga Anketa e Forcës së punës u raportuan mbi 1,3 milionë persona të punësuar në vend, por vetëm 55% e tyre janë në skemën e sigurimeve.
Informaliteti i lartë në tregun e punës po shndërrohet në një plagë afatgjatë për shoqërinë, pasi punonjësit e sotëm rrezikojnë të mbeten pa pension ose me pagesa që nuk kapin nivelin e minimumit jetik në vend.
Kjo plagë ka nisur të reflektohet tashmë, pasi më shumë ë gjysma e pensioneve në skemën publike marrin pagesa të pjesshme. /Monitor