Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë sonte një finale të vërtetë në Stamboll përballë Turqisë, pasi i duhet një fitore me cdo kusht për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin në Europianin e 2020.

Cdo rezultat tjetër përvec fitores për kuqezinjtë nuk vlen, pasi shanset për t’u kualifikuar do të ishin thuajse zero. Aktualisht Turqia ka 15 pikë dhe kryeson grupin së bashku me Francën me pikë të barabarta, ndërsa Islanda ka 12 pikë, më pas vjen Shqipëria me 9 pikë.
Prandaj kuqezinjtë do të tentojnë hakmarrjen për humbjen në ndeshjen e parë në Shkodër, por edhe për të qëndruar në lojë deri në fund për kualifikimin. Trajneri Reja pritet që të zbresë në fushë me një formacion 3-5-2.

Në portë do të jetë Strakosha, përpara tij Dermaku, Gjimshiti dhe Ismajli. Mesfusha e ngjeshur me pesë lojtarë do të përbëhet nga Lenjani, Bare, Gjasula, Memushaj dhe Roshi, ndërsa goli do të kërkohet nga Manaj dhe Cikalleshi. Sfida do të luhet në orën 20:45.

Presidenti Ilir Meta ka lënë pas komunikatën e Komisionit të Venecias ditën e sotme duke i qëndruar asaj çfarë deklaroi ditën e djeshme “Jam i shqetësuar vetëm për kombëtaren dhe Hysajn.” Pak para ndeshjes Meta i bën thirrje tifozëve kuqezinj të mbështesin Shqipërinë duke i uruar më të mirë kombëtares për ndeshjen në stadiumin Sukru Saracoglou në Stamboll. Në fakt herën e fundit që ishte në stadium, përballë Islandës Presidenti festoi si i çmendur golat.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta
“Tani të gjithë pranë kuqezinjve, duke uruar më të mirën për sfidën e Stambollit! Oh sa mirë me ken shqiptar!”

Shqipëria do të luajë me fanellat tërësisht të bardha në këtë ndeshje, pasi Turqia si ekip vendas ka të drejtë të vendosë se cilat fanella do të mbajë për vete. Turqit kanë fanella të kuqe dhe ne të bardhat në këtë ndeshje por ajo çfarë bie në sy janë numrat të cilat dy lojtarë ia kanë ”rëmbyer” Elseid Hysajt dhe Mërgim Mavrajt. Dy kapitenët nuk do të jenë në këtë sfidë, i pari për shkak dëmtimi dhe i dyti se nuk është grumbulluar.
Hysen Memolla do të marrë numrin 4 të Elseid Hysajt ndërsa numrin 15 të Mërgim Mavrajt do e mbajë talenti Kristi Qose.

Federata Shqiptare e Futbollit njofton tifozët shqiptarë që kanë shkuar në Stamboll për të ndjekur ndeshjen Turqi-Shqipëri se disa objekte dhe simbole nuk do të lejohen në Stamboll, mes të cilave edhe imazhe me Autochtonus.
Deklarata e plotë e FSHF-së

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë opinionin publik dhe të gjithë tifozët shqiptarë që do të jenë në stadium mbrëmjen e sotme për ndeshjen Turqi-Shqipëri, se përtej gjithë insistimit dhe kërkesave të vazhdueshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes, një pjesë e materialeve të tifozëve nuk mund të lejohen në stadium. Turqia ka një ligj sportiv që nuk lejon vendosjen e shumë materialeve në stadium.

Kemi marrë konfirmimin se do të lejohen daullet për çdo grupim, flamurët shqiptar dhe shallet me logon e flamurit Kombëtar. Nuk lejohet asnjë megafon, baner ultrasësh i çdo tifogrupi, baner me imazhe personale, veshje që nuk kanë lidhje direkte me flamurin kuqezi siç mund të jenë ato me imazhin Autochtonus.

Nuk lejohen çantat e krahut dhe të shpinës, të gjithë duhet ti lënë në hotel ose në autobusat më të cilat udhëtojnë, pasi nuk është mundësuar një pike grumbullimi për ruajtjen e tyre. Lajmërojmë tifogrupet e organizuara se nisja për në stadium do të bëhet në orën 18:00, për arsye të kontrollit të rreptë që do të ushtrohet në 3 pikat e kontrollit përpara hyrjes në stadium. Brenda stadiumit do të gjeni pika shitje për freskuese dhe ushqime të shpejta.

Duke ju falenderuar për mbështetjen e pakufishme që jepni gjithmonë ekipit Kombëtar shqiptar, shpresojmë në mirëkuptimin tuaj dhe në mbështetjen tuaj të përhershme.

Artikulli paraprakPETER ZINGRAF: KA SHPRESA SE GJERMANIA DO BINDË VENDET SKEPTIKE TË BE PËR NJË VENDIM POZITIV PËR SHQIPËRINË
Artikulli tjetërGAFË NË MBROJTJE, TURQIA FITON 1-0