Një 62 vjeçar dyshohet se i ka dhënë fund jetës si shkak i depresionit.
Nikë Strugaçi nga njësia Shalë e Dukagjinit është gjetur i mbytur në ujërat e lumit Buna gjatë mesditës të së hënës. Trupi i pa jetë ka dalë në sipërfaqe të ujit dhe është parë rastësisht nga një banor në fshatin Zues të njësisë Ana e Malit. Pasi policia ka marrë njoftim është nisur menjëherë në vendngjarje. Kufoma është transportuar me autoambulancë drejt morgut në spitalin rajonal të Shkodrës nga i është bërë edhe ekspertiza mjeko-ligjore. Nga kjo ekspertizë paraprake, policia bën të ditur se 62 vjeçari nuk ka shenja dhune në trup. Në këtë mënyrë sipas policisë vendore dyshimet janë të forta se shtetasi Nikë Strugaçi është vetëmbytur si pasojë e depresionit që mund të ketë patur. Burime pranë spitalit rajonal të Shkodrës dhe policisë bëjnë me dije se 62 vjeçari ka patur afro dy ditë që mund të jetë mbytur. Ende nuk është shumë e qartë vendi në të cilin 62 vjeçari i ka dhënë fund jetës ndërsa është gjetur në brigjet e lumit Buna në fshatin Zues. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe grupi hetimor dhe po punohet për sqarimin e rrethanave. Megjithatë policia si pistë paraprake nga bisedat edhe me të njohur të Nikë Strugaçit jep se dyshohet të jetë depresioni. Në fakt kohët e fundit rastet e personave që vuajnë nga depresioni dhe shkojnë deri në raste ekstreme siç dyshohet për 62 vjeçarin e vetëmbytur janë shtuar dhe trendi është në rritje nga viti në vit. Kjo edhe nga të dhënat që raportojnë herë pas here institucionet e shëndetësisë duke bërë që të jetë një problem serioz.