Lëvizjes Vetëvendosja (LVV) me në krye Albin Kurtin kryeson zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Teksa janë numëruar 95% të votave ku pas një gare të fortë votash mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosja (LVV), kjo e fundit kryeson garën me 25.90% të votave.

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, zgjodhën sot përfaqësuesit e tyre për në Kuvendit e Kosovës ku më pas do të zgjidhet e Qeveria e re me mandat 4 vjeçar.

Në një deklaratë për mediat kreu i LVV, Albin Kurti është shprehur se, ai dhe partia e tij janë të gatshëm që të ftojnë LDK për një koalicion paszgjedhorë për krijimin e qeverisë së re. Po ashtu Kurit ka deklaruar se do të mbajë të gjitha premtimet që ka bërë më herët.

“Sigurisht se ne gjithmonë i kemi konsideruar LDK-në si partnerë në opozitë. Kemi bërë hapa të bashkërenduar. Fatkeqësisht nuk arritëm ta shndërrojmë në projekt të përbashkët si deshëm. Së bashku do t’i kemi 60 deputetë. Unë si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës preferoj një qeveri stabile dhe patjetër e shoh si partnerë LDK-në. Nesër do ta ftoj LDK-në për të krijuar koalicionin.”- tha Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti pasi shpalli fitoren dhe foli si kryeministër para mediave, iu bashkua festës së simpatizantëve të VV-së në sheshin kryesor të qyteti të Prishtinës. Ai përgëzoi kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani për fushatën që ka bërë, dhe shtoi se ajo dha një model për shumë gra dhe vajza shqiptar.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kishin më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë. Ndërsa sipas KQZ, në zgjedhje morën pjesë 42,68% të votuesve, shifër kjo që tregon një rritje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Ndërkohë Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, deklaroi se pas 12 vitesh partia e tij do të kalonte në opozitë duke pranuar kështu humbjen e zgjedhjeve. Nga ana tjetër ish-kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka preferuar të komentojë rezultatin por ka thënë se sot Kosova tregoi qytetari europiane.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur.

Ndarja e qyteteve në bazë të rezultateve të zgjedhjeve:
VV – Gjilan, Kaçanik, Kamenicë, Obiliq, Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Hani i Elezit

LDK – Dragash, Istog, Fushë Kosovë, Lipjan, Pejë, Podujevë, Suharekë, Viti

AAK-PSD – Deçan, Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik

PDK – Drenas, Mitrovicë, Skenderaj, Shtime

Nisma-AKR-PD – Malishevë

KDTP – Mamushë

Lista Serbe – Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillugë, Partesh, Kllokot, Mitrovica e Veriut

Përgjithësisht procesi i votimit u karakterizua nga një frymë e qetë zgjedhore por nuk munguan disa parregullsi që kishin të bënin me listat e zgjedhësve dhe ushtrim presioni ndaj votuesve.

Që në orët e para të procesit të votimit, në Mitrovicë policia me urdhër të prokurorisë ndaloi dy komisionerë pasi ata kishin lejuar votues serb që të votonin me dokumenta të Serbisë, në kundërshtim me udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Sipas Koordinatores Nacionale për Zgjedhjet, Laura Pula, në rang vendi u arrestuan apo ndaluan 15 persona për keqpërdorim të votës dhe incidente të tjera në qendrat e votimit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës nga Gjykata Speciale për intervistim.

Artikulli paraprakAKSIDENT NË ELBASAN, 1 I VDEKUR DHE 2 TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërZGJEDHJET NË KOSOVË, RAMA: URIME ALBIN KURTIT, POR EDHE KADRI VESELIT PËR PRANIMIN E HUMBJES